Në ditën e 21-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, ish-kryetari i
saj, Fatos Nano i ka dërguar një letër të hapur socialistëve duke bërë
me dije se është i gatshëm që t'i udhëheqë drejt fitores.



"I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten Kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e radhës", thuhet në letër. Nano shprehet se Rama ka refuzuar prej kohësh bashkëpunimin dhe bashkimin. "Rama refuzoi kur i kërkova të kalonim nga zona e mosmarrëveshjeve tek zona e marrëveshjeve për të mirën e socialistëve dhe Shqipërisë", thuhet në letrën e Nanos.

Ish-kryetari socialist theksoi se në betejën presidenciale, humbi Edi Rama dhe të gjithë socialistët.

Ashtu sic kishte paralajmëruar edhe më parë, Nano bëri me dije se nuk do të lejojë që PS dhe socialistët të vazhdojnë të rropaten, rraskapiten, keqpërdoren, sakrifikohen, torturohen nga duart e papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së Edi Ramës i cili di veç të humbasë.

"Unë tashmë u vetëofrohem të gjithë socialistëve dhe popullit opozitar që së bashku të marrim fatet e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë në duart tona e të mos lejojmë më që humbjet e pareshtura të socialistëve të kthehen në humbje për Shqipërinë, nëpërkëmbja e socialistëve të kthehet në nëpërkëmbje për Shqipërinë, kriza e Edi Ramës të qëndrojë si kërcënim e ndëshkim krizash për Shqipërinë", thuhet në letrën e Nanos.

Nano dhe reagimet e njëpasnjëshme

Pas një periudhe heshtje prej gati tre ditësh, Fatos Nano ka qenë tepër aktiv gjatë të hënës me qendrime dhe deklarata. Më e fundit ishte ajo pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit, të cilin Nano e ka përshëndetur.

Por vetëm pak orë më parë, pas deklaratave të kreut socialist se mazhoranca po bënte diversion me Fatos Nano, ish-lideri i PS-së, Fatos Nano për herë të parë pas shumë vitesh ka lëshuar një deklaratë të ashpër në adresë të Kryeministrit Berisha.

Por le të marrim me radhë qendrimet e zotit Nano në orët e pasdites, pak përpara se të niste raundi i katërt për votim, pas dorëheqjes së papritur të Artan Hoxhës dhe kandidimit të Bujar Nishanit, në një deklaratë të Lëvizjes Fatos Nano për President theksohej se ish-kryeministri Fatos Nano pas konsultave me konstitucionalistë paralajmëronte mazhorancën se me zgjedhjen e Bujar Nishanit po kryente një veprim anti-kushtetues për shkak se ky i fundit mbante njëkohësisht edhe postin e Ministrit të Brendshëm.

Çka sipas zotit Nano përbën një shkelje të rëndë të ngjashme deri diku me atë të zotit Ilir Beqaj ish-deputet i Partisë Socialiste i cili humbi mandatin e tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Rreth 60 minuta më pas në një tjetër deklaratë, shprehej zhgënjimi i zotit Nano për rrjedhën që kishte marrë procesi. Në minutat që i paraprinin zgjedhjes së Bujar Nishanit, zoti Nano sulmoi vetëm dhe ashpër kryeministrin Berisha, të cilin ai e quan përgjegjës të vetëm të krizës politike në vend.