Ish-agjenti i SHIK-ut Nazim Bllaca nuk ka qëndruar “gojëmbyllur” pas një interviste që i dënuari Shpresim Uka dha për RTK-në. Ai në një intervistë për gazetën “Bota sot” i është përgjigjur Shpresim Ukës dhe ia ka shtruar atij disa pyetje.


Shpresim Uka, tash në arrati, në një emision të RTK-së “Pa rrotulla” dha një intervistë në të cilën ngriti një sërë dyshimesh të pabazuara duke tentuar që tash nëpërmjet opinionit ta rrëzojë procesin gjyqësor “Bllaca I” dhe “Bllaca II”. Unë i them atij se provat e mia mund t’i rrezojnë vetëm nëse Azem Syla është kryetar i trupit gjykues dhe Kadri Vesli prokuror, thotë Nazim Bllaca në një intervistë për “Bota Sot”.


Më poshtë do t’u përgjigjem disa dyshimeve që ka nxjerrë ish-shefi im në skuadrën e vrasjeve të SHIK-ut, Shpresim Uka:


Pas daljes sime publike, më 29 nëntor 2009, më kanë ftuar në hetuesi dhe në prani të prokurorit më kanë marrë cart-memorien e kompjuteri me sasi K800i, dhe me urdhër të prokurorisë dhe me pëlqimin e gjykatësit të procedurës paraprake cart-memorien me kapacitet prej 1 GB u është dorëzuar autoriteteve gjermane në laboratorin me të njohur për ekzaminimin e audio-recorderve në Evropë. Ky laborator gjendet ne Furstenfeldbruck afër Munihut dhe pas tetë muajve, diku në korrik 2010, prapë më kanë vizituar hetuesit dhe më kanë informuar se audio-recorderi që ka të bëjë me incizimin në Sankovcë me kohëzgjatje prej 2 orësh e 15 minutash, është dalë pozitiv d.m.th.: është fjala për takimin me Shpresim Ukën e ku bisedohet për Ibush Kllokoqin, Adem Salihun, Ismet Arifin dhe plagosjen e Driton Hajdarit, si dhe për shumë vepra të tjera penale.


Hetuesit e asaj kohe më patën thënë: Bllacë e kemi ditur që incizimi është origjinal, po ky është gjykim i madh dhe ne shkojmë sipas procedurës për vërtetimin e autenticitetit.


Shpresim Uka ka punuar në Post Telekomin e Serbisë deri në mars të vitit 1999 kur kanë filluar bombardimet e NATO-së. Këtë e di e gjithë Prishtina. Këtë e vërteton vetë gjate intervistës në RTK ku thotë se 3-4 muaj pas konfiskimit të parave nga policia serbe ka shkuar në UÇK: d.m.th. ku edhe ishte bërë ushtar i UÇK-së, që i bie diku në fund të muajit maj 1999.


Unë pyes ish-eprorin tim, tash në arrati, nëpërmjet kësaj shkrese publike: Si është e mundur që më 11 janar 1999 të konfiskohen 1 milionë DM dhe që Shpresim Uka të ketë qenë i autorizuari i kësaj ngarkese, ndërsa në anën tjetër Shpresim Uka vazhdoi të punojë edhe më tutje në PTK-në e asaj kohe? Normalisht, pas kësaj ngjarjeje këtë histori e dinë vetëm Shpresim Uka dhe Zoran Kostiqi, të dy ish -punëtorë të PTK-së në kohën e Serbisë.


Por, publikisht dihet që Uka vazhdoi të punonte në PTK me Kostiqin, derisa në anën tjetër shoferi i autobusit u dënua dhe mbajti 2 vjet burg ne Serbi: 1999/2001 e Arsim Zogiani vazhdon të jetë emër në listën e të zhdukurve, i zhdukur në këtë ngjarje, thuhet në intervistën e Nazim Bllacës. /Indeksonline/