U nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, Ali Progri, drejtori historik për rreth 27 vjet i Politeknikumit të Tiranës, sot Harry Fultz. Pas një ataku kardiak, profesor Progri, u përcoll dje për në banesën e fundit, i shoqëruar nga kolegë, ish-nxënës dhe studentë të tij, të afërm dhe familjarë. I lindur më 10 tetor 1929, në Progër të Devollit, profesor Aliu ka qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën nacionalçlirimtare. Për këtë kontribut të tij, Kuvendi i Shqipërisë e dekoroi atë me Medaljen e Çlirimit e të Kujtimit. Pasi mbaroi shkollën e mesme, në vitet 1948-1953, ai do të ishte student në Institutin e Lartë Politeknik në Kiev. Pas kthimit në Shqipëri, rezultatet e larta do ta rreshtonin atë në një ndër themeluesit e Universitetit të Tiranës, i cili u krijua atë vit, për të marrë më pas dhe postin e Zëvendësdekanit të Fakultetit të Inxhinjerisë. Falë përvojës në këtë fushë, profesor Aliu, siç e thërrisnin të gjithë, do të emërohej dhe Drejtor i Drejtorisë së Arsimit të mesëm profesional në Këshillin e Ministrave. Njeriu që njihte shumë mirë teknikën mekanike, emërohet nga Ministria e Industrisë kryeinxhinier në Uzinën e Traktorëve, që më pas u shndërrua dhe kombinat i Autotraktorëve. Por nga pjesa më e madhe e njerëzve, profesor Aliu do të mbahet mend nga shumë breza që kaluan nëpër bankat dhe auditorët e Politeknikumit “7 Nëntori”, në postin e drejtorit, institucion që ai e drejtoi për rreth 27 vjet, për të marrë dhe titullin “Mësues i Merituar”.