Ndahet nga jeta në mënyrë të parakohshme një prej ish-zyrtareve dhe aktivisteve më në zë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Bëhet fjalë për Luzhiana Abazin e cila u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm në moshën 47-vjeçare. Abazi u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Luzhiana Abazi lindi në qytetin e Durrësit, më 19 maj 1971. Në vitin 1994, u diplomua në Fakultetin e Mjekësise, Universiteti i Tiranës. Abazi ka kryer një sërë specializimesh dhe trajnimesh.


Gjatë periudhës 1996-1998  ajo ka kryer një specializim për mjekun e familjes. Më 1999-2000 përfundoi me sukses studimet master për Menaxhimin e shërbimit shëndetësor parësor, Instituti superior Della Sanita në Romë. Në periudhën 2000-2002 ka qenë drejtoreshë pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal. Abazi ka qenë pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë për rreth 5 vjet, në vitet 2002 -2007.


Në periudhën 2007-2011 është zgjedhur kryetare e njësisë bashkiake nr.6 Tiranë.  Në 2011-2013 ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë nr.2 të Punëtorëve të Qytetit, Bashkia Tirane.


Nga viti 2014-2016, ka ushtruar  detyrën si drejtore e Shërbimit Spitalor pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)


Nga 2016 e në vazhdim ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Fondit Tiranë.


Abazi është dalluar për angazhimin e spikatur në politikë. Nga viti 2012 e  në vazhdim  ajo ka qenë anëtare e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim.


6 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)