Ndalesa e bërë ditë më parë për hyrjen e kryeministrit serb, Ivica Daçiq, në Kosovë, nga ana e institucioneve vendore, shihet si vendim i drejtë nga analistët politikë. Sipas tyre Bashkimi Evropian duhet të përkrah një vendim të tillë, i cili dërgon mesazhe tek Beogradi, që të mos ndërhyjë në çështjet shtetërore të Kosovës.
Kontradiktat e krijuar këto ditë, nga zyrtarët kosovarë, rreth ndalesës së hyrjes së kryeministri serb, Ivica Daçiq, në Kosovë, nga njohësit politikë shihet më shumë si një gjest simbolik, përmes të cilit institucionet e vendit i kanë dërguar Beogradit, që të mos ndërhyjë ne çështjet e brendshme të vendit.
Valon Murtezaj, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, e vlerëson si të drejtë këtë vendim të palës kosovare, porse thotë që vendimet e tilla duhet te jenë më serioze, transmeton RTK.
“ Kur merren vendimet nga institucionet qeveritare, ato duhet të jenë të fuqishme dhe konsistente dhe jo të fragmentarizuar. Edhe një herë po e them që ka qenë vendim, nëse është ende në fuqi, vendim i drejtë” , tha Murtezaj.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samule Zhbogra i cili ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës që të ndalojë vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale nuk është i mirë.
Ardian Arifaj, analist në institutin KIPRED, mendon se Brukseli zyrtar do të duhej që të adresonte më herët, shqetësimet e palës kosovare, në Beograd për ndërhyje të kësaj të fundit në çështjet e Kosovës.
“Brukseli mbetet me shumë influencë dhe mund t’i ndryshojë vendimet si në Prishtinë, si në Beograd. Por do të ishte shumë me më rëndësi që Brukseli të përfshihej në këtë proces, para se Prishtina të merrte një vendim, dhe t’i shprehen shqetësimet që pala kosovare i ka për cenimin e integritete të Kosovës, nga aksionet e fundit të qeverisë së Serbisë “ , tha Arifaj.
Kryeministri serb, Ivica Daçiq, pati thënë se ndalesa që ai të vizitojë Shtërpcën këtë të premte, do të ketë efekte edhe në dialogun e Brukselit. Ndërkohë që Baronesha Catherine Ashton, ka ftuar kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq që të zhvillojnë takimin e radhës më 7 tetor në Bruksel. Pas takimit të fundit, të dy kryeministrat ishin deklaruar se gjatë kohës së fushatës do të takohen vetëm nëse do të jetë e nevojshme./Indeksonline/