Policia e shtetit ka reaguar pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për ndalimin e disa protestuesve të PD në tubimin e fundit të organizuar nga kjo forcë politike para parlamentit.


Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, policia sqaron se është detyrë e saj të shoqërojë personat që rezultojnë në kërkim, si në rastin konkret, ndërkohë që hetimet ndaj tyre vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.


Reagim i Policisë së Shtetit


Lidhur me deklarimet e përfaqësuesve të disa subjekteve politike, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim policor ditët e fundit, Policia e Shtetit sqaron se:


Mbi bazën e referimit në Prokurorinë e Tiranës të datës 19.12.2017, për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë të planizuar në shërbim në sigurimin e protestës së opozitës zhvilluar në datë 18 dhjetor, përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë janë shpallur në kërkim një numër personash për “Kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, parashikuar nga neni 236/22, i Kodit Penal.


Mbi këtë bazë, sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrulle policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t’i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen.


Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim policor.


Hetimet ndaj tyre vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.


Policia e Shtetit garanton të drejten e protestes, por nuk do të hezitojë në asnjë rast të ushtrojë forcën e ligjin ndaj kujtdo që e shkel atë.


2 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)