Një delegacion i Parlamentit serb prej 8 deputetësh nuk është lejuar të vizitojë Kosovën. Deputetët u ndaluan në pikën kufitare Dheu i Bardhë nga Policia Kufitare e Kosovës, pasi nuk kishin njoftuar më parë Ministrinë e Jashtme. Ata do të vizitonin fshatin Ranillugë, ku do të njiheshin me gjendjen e shtetasve serbë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se ndalimi i tyre u krye pasi shkelën ligjin dhe nuk respektuan procedurat e parashikuara në ligjet e Kosovës. Këshilltari i ministrit të Brendshëm, Fisnik Rexhepi, sqaroi se delegacioni serb kishte njoftuar Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Beograd për këtë vizitë, por jo Ministrinë e Jashtme të Kosovës. Për të njëjtën arsye kohë më parë iu ndalua hyrja në Kosovë edhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç.
17 marsi, Rexhepi kërkon më shumë siguri në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, kërkoi që strukturat përgjegjëse të shtojnë masat e sigurisë për shkak të provokimeve të vazhdueshme nga strukturat paralele serbe. Rexhepi tha se masat e sigurisë duhet të shtohen për shkak të paralajmërimeve të liderëve serbë për shënimin 17 marsit dhe synimeve për të krijuar trazira. Sipas tij, për masa shtesë të sigurisë ka nevojë në Lagjen e Doktorëve, ku së shpejti pritet të kthehen disa familje në shtëpitë e tyre të rindërtuara. Sipas kreut të komunës së Mitrovicës, javën e kaluar në veri kanë ndodhur disa incidente që kanë shqetësuar banorët, por që për fat të mirë kanë kaluar pa pasoja në njerëz. Ai tha se shpërthimet në Lagjen e Boshnjakëve dhe grafitet provokuese të shkruara në shtëpitë e shqiptarëve janë bërë me qëllim të tensionimit të gjendjes. Ai i dënoi këto incidente dhe kërkoi nga organet përgjegjëse që të marrin masa për arrestimin e personave që po ndikojnë në tensionimin e situatës.