Një i ri që ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale etj., të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj është arrestuar  për veprat penale Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike, Falsifikimi kompjuterik dhe Hyrje e paautorizuar kompjuterike. Arben Bozhiqi, 20 vjeç, lindur në Pajovë të Peqinit dhe banues në Laprakë të Tiranës u arrestua në flagrancë pas një hetimi 6-mujor në kuadër të Procedimit Penal të vitit 2018 për Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike.


Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pajisje kompjuterike dhe një telefon celular. Këto pajisje pasi u këqyrën rezultoi të përmbanin të dhëna të rëndësishme me interes për hetimin dhe më saktësisht:


1-U gjetën 11 profile të rrjetit social Facebook me të dhëna të rreme të cilat administroheshin dhe përdoreshin nga shtetasi Arben Bozhiqi.


2-Gjatë këqyrjes së profileve që administroheshin nga ky shtetas u gjetën foto intime të vajzave të ndryshme disa prej të cilave dyshohet se kanë qenë minorene në kohën kur këto foto janë realizuar si dhe dyshohet se këto foto janë marrë nëpërmjet marrjes së adresave të rrjeteve sociale të këtyre shtetaseve.


3-Mbi 1200 (njëmijë e dyqind) adresa të ndryshme të postës elektronike (e-mail, hotmail, yahoo, live etj., të shtetasve të ndryshëm.


Mbi 400 (katërqind) kode hyrjeje (passëord) për adresa të ndryshme të rrjeteve sociale të shtetasve të ndryshëm etj.


4-Mbi 100 (njëqind) adresa (URL) të faqeve të ndryshme të rrjetit social Facebook të shtetasve të ndryshëm.


5-Mbi 50 (pesëdhjetë) link-e (adresa) të ndryshme të cilat janë përdorur në periudha të ndryshme kohore për të marrë (phishing) kodet e hyrjes së adresave të ndryshme të postës elektronike, rrjeteve sociale etj.


Ky shtetas ushtronte aktivitetin e tij kriminal që nga viti 2010 dhe gjatë kësaj periudhe kohore dyshohet se ka ndërhyrë në mbi 3000 adresa të rrjeteve sociale etj., të cilat kanë qenë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.


Gjithashtu nga bisedat e kryera në rrjetet sociale rezulton se kishte një shkëmbim adresash me qëllime të ndryshme si fitimi etj. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat të cilët mund të jenë të lidhur me këtë shtetas.


Materialet hetimore në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprimeve të mëtejshme për veprat penale Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike si dhe për veprat  të cilat dolën gjatë hetimit Falsifikimi kompjuterik dhe Hyrje e paautorizuar kompjuterike.


2 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)