Me pikëllim të thellë ju njoftojmë që dje, nga një sëmundje e rëndë ka ndërruar jetë kolegu dhe njëri nga balerinët e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës, Rrustem Selca.

Baleti i Kosovës ndanë dhimbjen bashkë me familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin artistik në Kosovë, për ikjen e parakohëshme të kolegut dhe bashkëudhëtari tonë në rrugën e historisë së Baletit të Kosovës në këto 44 vite.

Rrustem Selca ka mbaruar Shkollën e Baletit në Shkup, në vitin 1972, së bashku me gjeneraten e parë të balerinëve kosovarë, të cilët pas mbarimit të shkollës së Baletit, u khtyen në Prishtinë, për të hapur kështu kapitullin më të ri në historinë e artit në Kosovë,

Selca zhvilloi aktivitetin e tij si balerin deri në vitin 1991, kur ai bashkë me Trupën e Baletit të Kosovës u suspenduan nga Teatri për të marrë rrugët e Europës në kërkim të një jete më të mirë.

Rr.Selca që nga viti 1991 ka jetuar dhe vepruar në Gjermani, ku edhe ditën e djeshme ndërroi jetë në njërin nga spitalet e këtij vendi.

Vlen të theksohet që Selca ka dhënë një kontribut të çmuar si koreograf në Ansamblin e Valleve "Vatra" në Zurich të Zvicrës, thuhet në njoftimin nga Baleti Kombëtar i Kosovës.