Një aksion i Policisë Metropolitane në Britaninë e Madhe kundër emigrantëve të paligjshëm është finalizuar me arrestimin e 10 të rinjve shqiptarë dhe 7 indianëve që punonin në të zezë në sektorin e ndërtimit.


Shqiptarët sipas BBC janë arrestuar për shkak se kanë hyrë ilegalisht në Angli, ndërsa disa kishin tejkaluar afatet e qëndrimit në vend. Ilegalisht kishin hyrë 9 shtetas shqiptarë dhe 2 indianë, ndërkohë 1 prej shqiptarëve dhe 2 indianë kishin tejkaluar lejen e qëndrimit.


Të arrestuarit punonin në sheshin e ndërtimit në Brighton Road, ku një pishinë e quajtur Aquarena po konvertohet në më shumë se 140 apartamente luksoze, me një fuqi punëtore të madhe aktualisht në vend.







Policia e Sussex ka konfirmuar se efektivët që morën pjesë në këtë aksion ishin të saj, ndërsa sa u përket shqiptarëve të arrestuar ata i përkasin moshës nga 18 deri në 31 vjeç.


Ndërkohë indianët janë të moshës nga 28 deri në 63. Policia Britanike e Emigracionit bëri bastisjen e zonës pas informacioneve nga ora 10 e mëngjesit të ditës së djeshme.


Të gjithë shtetasit janë aktualisht në paraburgim të emigracionit në pritje të largimit nga Mbretëria e Bashkuar.


Roffey Homes, i cili po ndërton 141 apartamentet në Brighton Road, tha për policinë se ai vetëm sa ka punësuar njerëz lokalë, por një nënkontraktor kishte rekrutuar të jashtëm.


Ai tha: “Ky nënkontraktor është përgjegjës për kryerjen e kontrollit të punonjësve para se ti fusë në punë. Edhe pse është përgjegjësia e tyre për të kryer kontrolle të plota mbi fuqinë punëtore të tyre, ne do të shqyrtojmë cilat procedura shtesë mund të zbatojmë për të siguruar që ata të lejohen ligjërisht të punojnë te ne”.