Një ngjarje tragjike ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Koçaj të Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë, ku një fëmijë humbi jetën dhe motra e tij mbeti e plagosur nga shpërthimi i një granate.


Djali 11-vjeçar mbeti i vdekur në vend, ndërsa vajza 9 vjeçe u nis me urgjencë me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Burime pranë Komisariatit të Policisë Bulqizë bëjnë me dije se Mirand e Mikela Çupi, vëlla e motër, po kullosnin bagëtitë pak metra larg shtëpisë, në afërsi të përroit të fshatit.


Ata kanë djegur disa ferra e shkurre për tu ngrohur. Mes shkurreve ndodhej granata, që dyshohet të jetë hedhur aty që prej vitit 1997 dhe zjarri ka bërë që të shpërthejë. Nga shpërthimi i saj ka mbetur i vdekur në vend Mirand Çupi, 11 vjeç, nxënës i klasës së pestë në shkollën 9-vjeçare Asllan Keta dhe është plagosur rëndë motra e tij, Mikela Çupi, 9 vjeçe, nxënëse e klasës së tretë, po në këtë shkollë.


NGJARJA


I pari në vendin e ngjarjes ka mbërritur babai i dy fëmijëve, Murat Çupi, i cili sapo ishte kthyer nga miniera e kromit, ku punon prej vitesh si minator. Pas tij kanë mbërritur edhe familjarë e fqinjë të familjes Çupi.


I mituri është gjetur i pajetë, pasi kishte pësuar dëmtime serioze nga shpërthimi i granatës, ndërsa vajza e vogël u gjet disa metra larg të vëllait, në gjendje të rëndë shëndetësore. Familjarët dhe banorët që mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes kanë transportuar Mikela Çupin drejt spitalit të Bulqizës, ndërkohë që për Mirandin ishte vonë, pasi nuk kishte shenja jete.


Mjekët e Bulqizës, sapo i dhanë ndihmën e parë vajzës 9-vjeçare, kërkuan ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë për ta dërguar atë me helikopter drejt Tiranës, për një kurim më të specializuar.


Gjendja e vajzës ishte e rënduar. Ajo kishte plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe kurimi në spitalin tonë ishte i pamundur. Kërkuam transportimin e saj në rrugë ajrore, sepse në Spitalin e Traumës mund të kurohet më mirë, sqaruan mjekët e Bulqizës. Ndërsa burime nga spitali në Tiranë thanë se vajza ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


HETIMI


Efektivë të Policisë Bulqizë dhe oficerë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër kanë mbërritur shpejt në fshatin Koçaj të Fushë-Bulqizës dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes janë konstatuar edhe dy granata të tjera të paplasura, që në rast shpërthimi mund të kishte pasur pasoja edhe më të rënda. Granatat luftarake janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ende nuk dihet se kur dhe nga kush mund të jenë fshehur në vendin ku ndodhi ngjarja.


Panorama