TIRANË - Protestat e studentëve tek Fakulteti Ekonomik, për ndërtimet që po bëheshin në oborrin e këtij institucioni jo vetëm që janë bllokuar por policia ka nisur procedimin penal edhe për pronarët e tyre.

Gjithashtu hetimi ka nisur edhe për pronarin e një firme ndërtimi që në rrugën e Kavajës është duke bërë një shtesë kati pa leje, në pallatin që po ndërtonte.

Hetimet janë hapur edhe për kryeinspektorin e Inspektoriatit të Ndërtimit dhe Urbanistikës në Fier, si dhe zyrtarë të komunës së Lukovës në Sarandë, që kanë lejuar një ndërtim pa leje.

Që prej ditës së djeshme ka nisur një operacion i gjerë për identifikimin e ndërtimeve pa leje, pezullimin e e tyre si dhe nisjen e procedurave për ndjekjen penale të kompanive ndërtuese, që kanë shkelur ligjin duke ndërtuar pa leje.

Për 24 orë policia ka identifikuar 9 raste të shkeljes së ligjit, ndërsa në ndjekje penale kanë përfunduar më shumë se 12 persona.
 
RASTET E EVIDENTUARA DERI MË TANI
Gjatë ditës së djeshme, 17 shtator 2013, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për Pëllumb Shpata, 50 vjeç, pasi në rrugën “Budi” ka ndërtuar një objekt pa leje.

Po dje, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për Kol Gjokmarkajn, 50 vjeç, banues në Tiranë, sepse në “Rrugën e Elbasanit”, përballë Fakultetit Ekonomik, ka ndërtuar një objekt 6 katësh pa leje.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për Pavlin Kalusha, 34 vjeç, banues në Tiranë, sepse në “Rrugën e Elbasanit” përballë Fakultetit Ekonomik Tiranë, ka ndërtuar një objekt 6 katësh pa leje.

Po gjatë ditës së djeshme ka filluar proçedimi penal në gjendje të lirë për Edmonda Kadri Zaimi, Elton Xhaferri e Klodian Lita, banues në Tiranë, sepse në Rrugën e Kavajës, në Qendrën e Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, të marrë me qira po bëjnë ndërtime pa leje.

Po një ditë më parë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për Fatmir Sinanin, 62 vjeç, banues në Tiranë, pronar i një firme ndërtimi, sepse në “Rrugën e Kavajës”, po ndërton një shtesë kati në pallatin në ndërtim, pa leje.

Ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për Vasil Çelarin, 45 vjeç, banues në Tiranë, sepse në rrugën “Riza Çuka”, ka pushtuar 400 m², tokë në pronësi të Adem Zekut, 89 vjeç .

Në Lezhë, policia ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për Ermando Jakajn, 30 vjeç, banues në fshatin Zejmen, ish-sekretar i Këshillit të Komunës Zejmen, sepse duke shpërdoruar detyrën, nuk ka paraqitur për shqyrtim në Këshillin e Komunës, dokumentet për t’u pajisur me tokë Gjergj Simoni, 45 vjeç, banues në Zejmen.

Në Fier ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 56-vjeçarin me inicialet M. R., banues ne Fier, me detyrë kryeinspektor INUV Bashkia Fier, sepse duke shpërdoruar detyrën, ka lejuar të ndërtohet një objekt pa leje në lagjen “29 Nëntori”.

Lidhur me një ndërtim pa leje në fshatin Piqeras nga Themistokli Prifti, më datë 17 shtator 2013, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale të “shpërdorimi i detyrës”, për punonjësit e administratës Komunës Lukovë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)