Nga Gjon NDREJA


Përpara disa ditësh, po ndiqja një kronikë  në një nga televizionet publike,  lidhur me gjendjen e  një shkolle në qytetin e Kukësit, e cila paraqitej me disa xhama të thyer dhe gazetari thoshte se mungonte edhe ngrohja. Të intervistuar nga gazetari banorët shpreheshin me indiniatë  se shteti nuk ka marrë asnjë masë etj. Në përcjellje të kësaj kronike,  mendja më shkoi diku rreth gjashtë dhjetë vjet përpara kur sapo kisha filluar klasën e parë në shkollën fillore të fshatit.


Shkolla ishte majë një kodre që e rrihte era nga të katër anët dhe pothuajse e baraslarguar nga të gjitha shtëpitë e fshatit dhe ajo më e afërta e kishte 30 minuta larg me këmbë. Ishte një ndërtesë pothuajse e rrënuar, megjithatë soba prej llamarine ishte kurdoherë e ndezur dhe të gjitha dritaret kishin xhama falë kontributit dhe kujdesit të prindërve.  Një ditë kur po shkoja në shkollë,  takova një burrë  shumë të nderuar të fshatit  i cili mbante  një sëpatë në krah dhe po shkonte në drejtim të pyllit. Ai më ndaloj dhe më pyeti se si shkoja me mësime dhe unë i thashë me krenari se isha i pari klasës.


Duke më buzëqeshur dhe ledhatuar njëherit ai më tha se e dinte se gjendja e shkollës ishte e keqe por duke u betuar më tha se po të jap besën e zotit, se ju vetëm mësoni se ne do të ndërtojmë një shkollë të re dhe të bukur për të gjithë fëmijët e fshatit. Në fakt mu duk më tepër si një ngushëllim nga ato që rëndom joshin fëmijët, por tek përmendi besën e zotit e cila në mendjen tonë ishte diçka e mitike, fillova të shpresoj. Ai vetë nuk kishte bërë asnjë ditë shkollë por falë dëshirës së tij, dinte të shkruante dhe të lexonte me shkronja kapitale dhe mbante kurdoherë në xhep disa lapsa të trashë me ngjyra që ishin si prej parafine.


Nuk shkoi shumë kohë dhe me iniciativën dhe këmbënguljen e tij pranë autoriteteve në qeverinë e asaj kohe, filloi ndërtimi i shkollës së re shtatëvjeçare në fshat. Ishte një bashkëfinancim i komunitetit dhe i qeverisë. Komuniteti mori përsipër, grumbullimin e gurëve dhe materialet inerte, lëndën e ndërtimit, mori lejen dhe dogji një gëlqere që u përdor për shkollën si dhe përballoj shpenzimet për punën e gjallë.


Qeveria nga ana saj ishte në minorancë në këtë sipërmarrje. Ajo mori përsipër tjegullat, dyer e dritare si dhe bangat e shkollës. Dhe kështu ajo shkollë u ndërtua dhe funksionon edhe sot e kësaj dite. Në vijimësi komuniteti kontribuonte për mirëmbajtjen e shkollës si dhe për ngrohjen e fëmijëve duke sjellë çdo shtëpi racionin e druve që ishte caktuar nga drejtori i shkollës.


U zgjata pak në këtë hyrje, me qëllim që të rikthehem tek shkolla në Kukës dhe te shumë shkolla të tjera në të gjithë vendin dhe jo vetëm në shkollat, për të shpjeguar sipas pikëpamjes time se çfarë ka ndodhur me shqiptarët dhe ndjenjën e tyre komunitare.


Kohë më vonë e gjithë shoqëria iu nënshtrua një procesi kolektivizimi të skajshëm i cili në vend që të forconte ndjenjën komunitare siç në thelb e presupozon, e shkatërroi fare atë. Çdo gjë e bënte shteti dhe shtet konsiderohej edhe kryesia e kooperativës apo këshilli i fshatit. Çdo njeri në këtë mënyrë të re  jetese kishte detyrë vetëm pjesëmarrjen dhe kontributin e tij por  kishte zero iniciativë për zhvillimin e komunitetit, pasi këto bëheshin sipas planeve të hartuara e të miratuara. Dhe kjo mendësi e cila zgjati për më shumë se 25 vjet e shkatërroi fare ndjenjën dhe iniciativën e komunitetit për ti shërbyer vetes.


Por kanë kaluar përsëri 25 vjet dhe kjo ndjenjë fatkeqësisht nuk është gjallëruar përkundrejt disa të tjerave që u aktivizuan me shpejtësi si ajo e besimit tek zoti. Kjo ka dëmtuar dhe po dëmton jo vetëm atë gjeneratë që e përjetoi kolektivizimin, por fatkeqësisht po transmetohet edhe tek më të rinjtë gjë e cila reflektohet si një alergji ndaj organizimeve kolektive. Kështu kam parë kronika të tjera në televizion, se si fshatarët ankohen se shteti nuk ka ndërtuar një urë mbi përroin që ndan dy lagje të fshatit, apo shteti nuk ju ka sjellë ujin e pijshëm, ku burimet e fshatit nuk janë më shumë se një km larg, e deri te fakti se shteti nuk ka pastruar kanalet ujitëse për të vaditur arat. Por shteti nuk është dhe nuk mund të jetë i pranishëm në të gjitha detajet e shërbimeve. Fjala vjen çdo shkollë nuk ka dhe ndoshta nuk kanë përse të ketë një buxhet të veçantë për mirëmbajtje, për të zëvendësuar xhamat apo për të lyer shkollën.


Por nëse zëvendësimin e xhamave do ta kërkojmë te shteti, procedurat për blerjen  e zëvendësimin e tyre janë kaq të gjata sa fëmijët do të jenë plevitosur deri kur ato të zëvendësohen. Këtu besoj se organizma të tjerë duhet të funksionojnë dhe aktivizohen, pasi shteti nuk mund të jetë prezent në mënyrë kapilare për të gjitha shërbimet që ka nevojë komuniteti dhe kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Shkollat dh institucionet arsimore kanë një të ashtuquajtur bord i cili nuk ka pse nuk kërkon ndihmën dhe kontributin e komunitetit për të krijuar kushte të përshtatëshme ose për të eliminuar pengesa të tilla të vogla për të cilat shteti nuk ka elasticitetin e duhur dhe për rrjedhojë nuk mund ti kryejë ato në kohën e nevojshme.


Në se do të hyni në shkallët e pallateve do të vini re menjëherë një larmi ngjyrash të sipërfaqeve të murit të shkallëve apo edhe të parmakëve. Në ndonjë kat duken qartë gjurmët prej balte të topave që fëmijët kanë luajtur, disa sipërfaqe janë lyer ndërsa disa të tjera jo. Po kështu në një kat parmakët e shkallëve janë me ngjyrë të bardhë, diku janë gri dhe diku tjetër nuk janë lyer asnjë herë, kjo sipas  parcelave të pronarëve të apartamenteve. Madje ndodh që edhe në një kat të jetë lyer vetëm gjysma e sipërfaqes që i përket një familje të caktuar pa folur këtu për batërdinë që bëhet në tarraca.


Por sipas ligjit për bashkëpronësinë në banesa sipërfaqet e shkallëve dhe të tarracave janë në pronësi të përbashkët në çdo centimetër katror të tyre, pavarësisht se përpara derës së kujt ndodhen. Dhe kjo imponon patjetër për një marrëveshje për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Kjo është pjesë e bashkëjetesës dhe pa një marrëveshje midis tyre bashkëjetesa nuk funksionon. Në këtë kuadër është për tu përshëndetur veprimtaria e Bashkisë së Tiranës, madje edhe presioni pozitiv për të zgjedhur nga vetë komuniteti administratorë, në mënyrë që të kujdesen në mënyrë të unifikuar për këtë pasuri të përbashkët. Por edhe në këtë proces ndjenja e shkatërruar komunitare ngre krye. Ka banorë të cilët mendojnë dhe shprehen se Bashkia po vendos taksa të reja, ose që nuk pranojnë prezencën e administratorit, kjo jo rrallë herë edhe për shkaqe të përkatësisë pölitike të kryebashkiakut .


Vështroni fermerët e Korçës që ankohen se mollët, patatet, fasulet dhe prodhimet e tjera buqësore po ju prishen dhe fajësojnë pa as më të voglin dyshim shtetin, i cili sipas tyre nuk ka marrë masa për shitjen e prodhimeve të tyre. Ndonjëri kujton kohën kur ministër i Financave ishte fqinji i tyre nga fshati Rakickë, i cili sipas tyre bllokonte importet me qëllim që të shiteshin prodhimet e tyre. Por ministrat dhe qeveritë ndërrohen dhe ata duhen të gjejnë një zgjidhje afatgjatë, e cila mbështetet në vullnetin e tyre për tu bashkuar dhe për të organizuar prodhimin bujqësor dhe shitjen e tij. Por kjo mungon, sepse ai nga Rakicka ju premton se sapo te kthehet në pushtet do ti ndihmojë përsëri. Ose vëreni me kujdes revoltën e fshatarëve që janë përmbytur nga Drini e Buna në vitin 2010, të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre pa leje në rrjedhën e këtyre lumenjeve dhe kur ata përmbyten fajësojnë shtetin se nuk i dëmshpërblen.


Dhe shteti për të marrë disa vota më shumë  premton se do ti dëmshpërblejë dhe kur kjo faturë u transmetohet qeverive pasardhese dhe nuk paguhet, ata futen në grevë urie. Breshëri dhe fatkeqësitë natyrore dëmtojnë shpesh herë prodhimet e  fermerëve  dhe këta të fundit në vend që të sigurojnë prodhimet e tyre në shoqëritë e sigurimit fajësojnë shtetin për breshërin që ju ka dëmtuar prodhimet për shkak se tek ata  dominon mendësia e ngulitur fort në mendjen e njerëzve e trashëguar nga e kaluara se shteti është përgjegjës. Personalisht jam kundra qasjes së të gjitha qeverive për dëmshpërblime deri në qindarkën e fundit, por sigurisht jam për një mbështetje humanitare në raste fatkeqësisht dhe ndryshimi midis këtyre qasjeve është i madh.


Por edhe shteti duhet të bëjë më shumë për rritjen e prezencës së tij në shërbimet komunitare ashtu si edhe për nxitjen e ndjenjës së komunitetit dhe të kontributit të tyre. Kështu me që morëm në fillim shembullin e shkollave, aty ku drejtoritë arsimore janë larg nga institucionet arsimore, mund të zhdërvjelltësojnë procedurat e shërbimeve për një nomenklaturë të tillë shpenzimesh e cila konsiderohet emergjente. Drejtoritë arsimore mund të akordojnë drejtuesve të institucioneve arsimore  një paradhënie për shpenzime, e cila do të shlyhet me paraqitjen e dokumenteve përkatëse, te cilat duhet të hartohen në një mënyrë që të parandalojnë dhe  eliminojnë abuzimet.


Nga ana tjetër pushteti vendor krahas shtrirjes së shërbimeve në të gjithë komunitetin mund të kryejë investime dhe shërbime në partneritet me komunitetin. Fjala vjen në se është e nevojshme ndërtimi i një ure mbi një përrua që lidh dy lagje, shteti (pushteti lokal) mund të marrë përsipër konstruksionet metalike por ama bazamentet, gërmimet dhe të tjera duhet të jenë me kontribut të komunitetit. Ose në se duhet të riparohet kanali vaditës, shteti mund të marrë pjesë për të furnizuar bazën materiale si çimento etj., ndërkohë që komuniteti mund të kontribuojë me punën e gjallë apo të tjera veprimtari ndihmëse. Kësisoj jo vetëm që arrihen dhe sigurohen më shumë shërbime për qytetarët në dobi të komuniteti, por kjo do të rrisë më tej edhe ndjenjën dhe përgjegjësinë e komunitetit dhe krahas saj edhe kujdesin dhe interesin e tij për këto shërbime.


Eksperinencat e mira në këtë drejtim janë jo vetëm në vendet e zhvilluara por edhe ne traditën tonë, mjafton vullneti për ti implemnentuar ato.