Pjerin Ndreu hodhi poshtë zërat mediatikë se ai po projektohet si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Lezhës.


Është prodhim i disa militantëve të paditur, ose për të deleguar problemin dhe shmangur nga ajo që është realisht problemi kryesor dhe shqetësohet gjithë Lezha, që është vjedhja apo tjetërsimi i pronave. Nuk kam shpallur asnjë kandidaturë. PS sot ka 4-5 kandidatë potencialë që mund të kandidojnë në Lezhë, tha ai në një lidhje telefonike me emisionin Të Paekspozuarit.


Deputeti socialist i Qarkut të Lezhës përjashtoi akuzat se pas operacionit të Prokurorisë dhe policisë qëndrojnë motive politike.


Nuk ka asnjë ndikim të Pjerin Ndreut në këtë histori. Janë dy njerëz konkretë, dy persona që kanë denoncuar dhe se çpunë kam unë në këtë histori! Ne do të zgjedhim një kandidat dhe Bashkinë e Lezhës do ta marrim me korrektesë dhe jo me skema të tilla bajate. Nuk jemi pjesë e kësaj, vijoi ai.


Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka konsideruar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, një akt selektiv që tenton të godasë PD-në. Alibeaj tha se po goditet opozita, ndërkohë që persona të tjerë nga mazhoranca, nuk hetohen fare.


Ky i Lezhës [Fran Frrokaj] rraset në burg. Ai i Kavajës për të njëjtën gjë nuk futet në burg. Ai i Rrogozhinës nuk futet në burg. Ai i Durrësit jo vetëm që e ka grabitur rërën, por ka lejuar të ndërtohet në rërë nuk preket. Ky është nje diskriminim. E dyta është selektivitet. Si ka mundësi që me drejtësine e re, vetëm këta të opozitës futen në burg? Tahiri, Qazim Sejdini, Dako, Gjiknuri, Ahmetaj, me prova që kanë dalë nga dokumentacion ligjor. Askujt nuk i hyn gjëmb në këmbë, nuk hetohen. Ky është selektiviteti, deklaroi ai.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)