MARIGLEN KUME/ Depozitimi në Kuvend më 1 korrik i draftit të Reformës Zgjedhore, i dakordësuar në Këshillin Politik, u duk sikur çoi në udhën e drejtë një nga 15 kushtet e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave.reforma


Por, në fakt, kjo nuk ndodhi, madje marrëveshja e 5 qershorit e Këshillit Politik, në prani edhe të ambasadorëve kryesorë si, ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, atij të BE-së, Luigi Soreca, dhe atij të UK, Duncan Norman, duket se është në pikëpyetje. Shkak për këtë duket se do të bëhet propozimi i çuditshëm i deputetëve të opozitës parlamentare, të cilët, edhe pse aspirojnë të bëjnë një parti të re, kërkojnë ndryshime në Kushtetutë për të ndaluar koalicionet parazgjedhore, vendosjen e pragut 5% dhe hapjen e listave.


Propozimi i tyre ka nisur shqyrtimin në Parlament, ndërsa përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, nga Vlora, dy ditë më parë tha se për të siguruar votat e tyre në Parlament për paketën e parë të amendimeve do të duhet të pranojnë ndonjë kërkesë të opozitës parlamentare, të cilat kërkojnë ndryshime në Kushtetutë.


Por, nga ana tjetër, në një intervistë për gazetën Panorama, përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, u shpreh se drafti që është depozituar në Parlament nga deputetët e rinj është hartuar nga vetë maxhoranca dhe nëse kërkesat e tyre aprovohen, atëherë do të minojë marrëveshjen në prani të ndërkombëtarëve të 14 janarit dhe 5 qershorit, në të cilën thuhet se Kodi Zgjedhor miratohet në Parlament sipas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik pa ndryshuar.


Bylykbashi kujtoi se e drejta e koalicioneve është një traditë kushtetuese që në vitet 92. Dhe se koalicionet në Kushtetutë nuk përcaktohen vetëm në nenin 64, por edhe në nenin 90 të saj.Oerd-Bylykbashi-dhe-Damian-Gjiknuri


Damian Gjiknuri (Për shqyrtimin e kërkesave të deputetëve të opozitës në Parlament): Për ne, më e rëndësishme është që arritëm një marrëveshje me opozitën, me PD-në, për ligjin zgjedhor. Por, nga ana tjetër, fillon një betejë në Kuvend, pasi sot politika është tripolare. Nga njëra anë është opozita jashtëparlamentare, e cila përfaqëson elektoratin e saj, por nga ana tjetër është edhe një opozitë që ka votat. Ne nuk i zotërojmë 84 vota dhe kjo na detyron që të negociojmë dhe të ushtrojmë trysninë e duhur, por edhe të akomodojmë ndonjë kërkesë të tyre pa cenuar marrëveshjen me PD-në. PS është parti serioze dhe nuk mund tu shmanget detyrimeve karshi ndërkombëtarëve. Ajo që mbetet të them është se ne do të luftojmë të bëjmë votat deri në fund për këtë Kod. Nëse jo, atëherë natyrshëm kjo do kompromis politik që smund ta them dot tani.bylykbashi


Oerd Bylykbashi (Kundërpërgjigjja dhe paralajmërimi): Më 30 qershor, Këshilli Politik përfundoi amendamentet në Kodin Zgjedhor. Ato më pas u dorëzuan nga përfaqësuesi i Këshillit Politik në Parlament më 1 korrik. Duhet thënë diçka. Këto janë amendamentet e Kodit, por që nuk përbëjnë plotësisht Reformën Zgjedhore për sa i përket asaj që përbën marrëveshjen e 5 qershorit. Rekomandimet më kryesore të OSBE/ ODHIR janë në lidhje me administratën dhe shitblerjen e votës, cenimin e sekretit të votës etj. Pjesa më e madhe e këtyre nuk trajtohen nga amendamentet e depozituara në Parlament. Kështu që është në pritje për tu dorëzuar edhe një paketë tjetër për ligjin e Prokurorisë, për rolin e SPAK etj. Amendimet e Kodit Zgjedhor nuk trajtojnë pjesën tjetër të marrëveshjes që është administrata e re zgjedhore pas këtyre zgjedhjeve. Këto janë dispozita të tjera që do të prezantohen më vonë, por edhe këto janë diskutuar nga Këshilli Politik. Kështu që nxitimi i Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij për të thënë se me këto e mbyllëm dhe tani mund të bëjmë lojëra politike, së pari nuk merr në llogari këtë fakt, që Reforma Zgjedhore nuk është përmbushur ende dhe çdo veprim i këtij lloji vë në dyshim vazhdimin për komponentët e tjera që janë gati për tu përmbyllur dhe vë në pikëpyetje edhe themelin e marrëveshjes së 14 janarit dhe 5 qershorit. Reforma Zgjedhore do të miratohet siç është rënë dakord nga Këshilli Politik pa ndryshime në Parlament dhe do të jetë me konsensus. Kështu që veprimet që po përvijon Edi Rama në këto momente, vënë në pikëpyetje themelin e marrëveshjes. Pretendimin për të marrë disa vota që janë ilegjitime në Parlament, është një silurë e drejtpërdrejtë në kërkesën për Shqipërinë si një nga 15 kushtet, në marrëveshjen e 14 janarit dhe 5 qershorit. Nëse kjo përkeqëson klimën politike, sigurisht që pengon që edhe ato elementet e tjera që përmenda më lart, që do përmbyllin reformën, të pengohen. Dhe do të ishte një përpjekje e qartë e PS-së për të përmbyllur Reformën Zgjedhore ashtu siç ramë dakord në praninë e ndërkombëtarëve.


LISTAT E HAPURA


Damian Gjiknuri (Për pranimin e kërkesës së hapjes së listës): Listat e hapura, nëse hapen siç e kërkon opozita parlamentare, menaxhimi, administrimi i numërimit të votave, do të bëhet mjaft i vështirë. Kjo do të kërkojë edhe ndërhyrje të tjera në thjeshtimin e listave që paraqiten nga grupime partish, ato që quhen koalicione. Opozita në Parlament e ka kërkuar gjithmonë ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave. Ne nuk kemi thënë që jemi kundër, por kemi thënë që do një konsensus të gjerë. Megjithatë, me qëllim që Shqipëria të bëjë zgjedhje, duhet patjetër të kalojë Kodin. Kështu që thashë, për hir të kompromisit, do të shikojmë çmund të bëjmë deri në fund. Nuk përjashtohet mundësia e listave të hapura nëse ne nuk gjejmë dot votat.


Oerd Bylykbashi: Neve na u desh që në prani të ndërkombëtarëve të arrihej në një dakordësi politike për elemente që janë maksimumi ligjore. Si do identifikohen zgjedhësit, përbërja e KQZ etj., që maksimumi janë rregulla ligjore. Ndërkohë, mund tu bëka pazar me një grup deputetësh, që nuk përfaqësojnë asnjë forcë politike reale dhe që nuk përfaqësojnë fare opozitën dhe ky pazar mund të ndryshojë jo disa rregulla ligjore, por mund të ndryshoka pa një marrëveshje të rëndësishme, bazamentin e fushës së lojës më të madhe politike që janë zgjedhjet. Që do të thotë të ndryshosh sistemin. Është reformë në nivel kushtetues. Nëse na duhet një marrëveshje kaq e rëndësishme për rregulla më të thjeshta siç është ligji, të ndryshosh me pazar Kushtetutën, atëherë do të thotë ka një gjë që është thelbësisht e kalbur, që, në fakt, është prova që Edi Rama, sa herë bën një marrëveshje të shkruar, e shkel të nesërmen. Dhe është konkretizimi i kërcënimit që bëri i nervozuar në Parlament i nervozuar kur tha se kjo marrëveshje mund të griset. Është pikërisht ky propozim i shkruar në zyrën e Ramës, të dhënë në dorën e disa deputetëve për të goditur Reformën konsensuale Zgjedhore. Listat e hapura dhe koalicionet nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën. Është qartazi një ndërhyrje e Ramës për të ndryshuar rregullat kryesore të lojës. Dhe për këtë përdor alibinë që nuk i ka votat. Por nëse bëni një verifikim, shikoni që edhe për ligje korruptive këta deputetë janë rreshtuar në mënyrë të rregullt në krah të PS. Pra, problemi se ata nuk kanë votat, nuk qëndron. Votat ata i kanë. Është vetëm një lojë e njëjtë me faktin që kur propozuesve të ndryshimeve kushtetuese të shkruara nga Edi Rama u munguan votat, sepse u tërhoqën disa deputetë, dërgoi deptetët e tij për të firmosur dokumenti,n vetëm që të mbante propozimin dhe kërcënimin në Parlament.


Kompromisi


Damian Gjiknuri: Për të kaluar Kodi, mbase do të duhet të gjemë kompromise për ta përfshirë ndoshta edhe hapjen e listave. Nëse nuk sigurojmë votat, duhet të gjejmë një kompromis, ose nuk do të kemi një ligj zgjedhor.


Oerd Bylykbashi: Kjo deklaratë është thjesht në një seri të kërcënimeve të tjera. Kodi Zgjedhor është konsideruar nga ODIHR si një bazë e mirë për të zhvilluar zgjedhje, por ka munguar vullneti politik. Kodi nuk rregullon se çfarë ndodh dy muaj para zgjedhjeve që shkojnë dhe blejnë vota. Kjo është pjesë e Kodit Penal. Për këtë arsye është dënimi i shitblerjes së votës. Për të bërë efektive këtë, ne ia kemi lënë detyrë SPAK-ut. Ajo që thotë Gjiknuri duhet të shqetësojë këdo, edhe ndërkombëtarët, se do të pengonte futjen e garancive shtesë që ne kemi rënë dakord në Këshillin Politik për të futur në Kodin Zgjedhor. Identifikimi biometrik për shembull. Kërcënimi qartazi shpreh dëshirën e PS-së që identifikimi biometrik të mos ndodhë. Po kështu, do pengonte edhe hapjen e kutive pa kufizime. E gjithë kjo lloj loje me eventualitetin e mosmiratimit të garancive të reja, është përpjekje e Ramës për të mbajtur status quo-në përkundër rekomandimeve të ODIHR -itpër problemet e mëdha. Është një lojë që zbulon shqetësimin e Ramës, i cili merr pikën kulminante në tentativën e tij për të prishur rregullat themelore të garës demokratike, që është ndër të tjera e drejta e subjekteve politike për tu bërë bashkë dhe garantuar një koalicion. E cila nuk është pjesë e sistemit zgjedhor, por është pjesë e Kushtetutës që nga fillimet e demokracisë shqiptare.


Marrëveshja


Oerd Bylykbashi: Kodi Zgjedhor është ligj me shumicë të cilësuar dhe kërkon një minimum kohe 2 javë që të diskutohet në Parlament. Në dakordësinë tonë në Këshillin Politik, angazhimi i maxhorancës ishte që në mes të korrikut ndryshimet të ishin të miratuara në Parlament me një pritshmëri legjitime, që edhe Presidenti, duke çmuar nevojën për të vepruar shpejt, të pranonte hyrjen në fuqi menjëherë. Nëse me 15 korrik Kodi Zgjedhor do ishte miratuar dhe do të hynte në fuqi me dekret të Presidentit, neve do të na hapej një afat kohor 2 javë dhe Kodi i ri në fuqi do mundësonte zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjatë gushtit të fillonte përgatitjet për identifikimin biometrik. Çdo vonesë është minim i marrëveshjes së 5 qershorit. Ndërkohë, ata kanë shkuar më larg. Ajo që Këshilli Politik ka bërë, ka qenë diskutimi dhe ndryshimi i një pakete amendamentesh, të diskutuara dhe dërguara zyrtarisht nga PS-ja që në dhjetorin e vitit 2018. Ishte kjo paketë që shkaktoi daljen e PD-së nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ndryshimet që ne kemi bërë ishin mbi këtë tekst. Kështu që, janë modifikime të asaj pakete që ekziston sot në Parlament dhe është pjesë e punës dhe nuk ka nevojë që të futet si një nismë e re. Çfarë kemi ne si precedent të përdorur nga kjo maxhorancë pak kohë më parë? Në janarin e këtij viti janë prezantuar ndryshime në Kodin Penal dhe për shkak të pandemisë u miratuan një seri veprimesh të tjera shtesë në Kodin Penal. Por nuk u përdor procedura që po përdoret për Kodin Zgjedhor, edhe pse emergjenca është e njëjtë, por ndryshimet për pandeminë u quajtën si ndryshime të janarit të 2020-ës dhe këto amendamente të propozuara më 8 prill u miratuan vetëm një javë më pas, më 16 prill. Pra, del qartë se shtyrja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është një mungesë vullneti.