Nga Fran Vukaj*




10173820_751995351518781_7340431147574937019_n
978004_559681190750199_1814978997_o 998109_517198271706216_1102835756_nNdue Shyti përbën në vetvete fenomenin më të lartë të artit popullor, një mjeshtër i vërtetë i çiftelisë, njeriu artist që bëri epokë në një kohë të caktuar. Duke punuar regjisor për 30 vite në ansamblin Puka kam pasë rastin ta njoh nga afër dhe të mësoj shumë prej tij. Po cili është Ndue Shyti? Shumëkush nëpër vite ka pasur rastin ta dëgjojë meloditë e tij që derdheshin me virtuozitet si ujëvarat e bjeshkëve dhe ky shumëkush ishte spektator e dëgjues vendas dhe i huaj. Prandaj me të drejtë studiuesi Mark Mesuli në monografinë për të, e ka cilësuar atë me titullin hirëplotë: gjeniu i çiftelisë.


***


64700_585287554856229_1196527707_nNë luginën përrallore të bregut të Fanit lindi më 1934 Ndue Shyti, djali i Lalë Prengës, i pagëzuar me emrin e shenjtit Shna Ndue. Dhe Ndue Shyti vërtet bëri çudira në festivalet kombëtare në Elbasan, Tiranë, Lezhë, Gjirokastër, Berat, po edhe në dhjetëra festivale ndërkombëtare, kur, prej një gjysmë shekulli numëron 500 koncerte në katër kontinente. Ky artist i ngjet një miniere tingujsh pa qenë nevoja të hapësh galeri, nëse shpreheshim figurativisht kështu. Aty gjenden xhevahiret e paçmuara, visaret e folkut kombëtar.


**


Ishte viti 1958. Për të veçuar talentet në rrethin e Pukës dërgohet Prenk Jakova, kompozitori i operas së parë shqiptare. Në vlerësimet e tij shprehet për Nduen: Asnjëherë s`kam dëgjuar një të tillë në jetën time, cilësi të lartë interpretimi, çka e bën atë të vetmin shqiptar që i bie si ai. Po në vitin 1958 në festivalin që organizoi klubi i Bashkimeve profesionale ai befason jurinë me interpretimet e tij me fyell, çifteli dhe bilbil duke u shpallur tri herë laureat për çdo instrument. Trupshkurtër me kostum kombëtar ai krijonte një marrëdhënie intime me spektatorin i cili e shoqëronte ritmikisht me duartrokitje. Në instrumentin e çiftelisë ai luante me katër akorde:akordi në kuartet, akordi unison, akordi në dyzen të epërm dhe akordi i katër si akordi buzukut korçar. Veshi absolut i tij dallonte çdo stonim. Ai shprehej:kënga po kaloi në nota të zeza nuk është shqiptare, sllave po. Ishin meloditë e Ndue Shytit që kalonin në nota të bardha duke i bërë ato krejtësisht shqiptare. Kompozitorët e mëdhenj Tish Daia dhe Çesk Zadeja e kishin për zemër Ndue Shytin. Ata vlerësonin talentin e këtij artisti autodidakt. Ndaj në të gjitha turnetë e Ansamblit të shtetit Ndue Shyti do ishte jo vetëm pjesë e programit, po edhe pjesë e suksesit. Interpretimet e tij priteshin me entuziazëm në Turqi, Maqedoni, tek Arbëreshët e Italisë, Suedi, Francë, Zvicër, Jugosllavi, Plavë e Guci, Norvegji, Podgoricë, Ulqin, Kosovë, Vietnam, Kamboxhia, Laos, Kinë, Kore e, para pak vitesh, në ShBA. Pasi Ansambli i shtetit u nderua në Dizhon me Gjerdanin e Artë, gazeta Drita e dt. 20.91970 shkruante për Ndue Shytin: Një instrumentist si ai, rrallë qëllon në historinë tokësore. Është jo vetëm instrumentist karakteristik shqiptar, po ai ka edhe vlera edhe si artist krijues. Vlerësime për të nga juri profesioniste të folklorit janë botuar në gazeta të mëdha botërore si Lë Mond, Korriere de la Sera, Hyrjet, Gunajden, Cajtung, Adalet, San Hovadisa e deri tek Zheminzhibao. Portret i tij është ekspozuar në Muzeun Ndërkombëtar të Artit në Luvër, Francë aty ku ndodhet edhe portreti i Mona Lizës. Është paradoksale që ky fakt nuk është përmendur, as dje, as sot. Ai e bëri të njohur Shqipërinë në Francë para Ismail Kadaresë. Vetë diktatori pati thënë për të: Ç`ka bërë më shumë De Bysy në Francë sesa Ndue Shyti në Pukë. Jo rastësisht fondacioni Alfred Topher, Hamburg nderoi ansamblin Puka me çmimin e madh europian, qershor 2001. Para se Shqipëria të aderonte në institucionet europiane, këtë e kanë bërë me kohë artistët shqiptarë të formatit të Ndue Shytit.


***


Krijimi i një orkestre ishte novacioni që bëri ai. Kompozimi formatues i një orkestre të tillë me 104 instrumentistë kërkonte punë voluminoze, fantazi, njohje në detaje të çdo instrumentisti. Ai vetëkompozonte dhe ndërtonte vijën melodike, vetë bënte orkestracionin për çdo repart të orkestrës;i mësonte pjesët çdo instrumentisti në kordeofone, frymore dhe membranofone, vetë i binte çiftelisë ose bilbilit, vetë dirigjonte. Orkestra e Pukës u bë e famshme duke tërhequr vëmendjen e Çesk Zadesë, Tish Daisë, Ramadan Sokolit etj. Ajo jo vetëm ekzekutonte meloditë brilante të krijuara nga themeluesi i saj, po edhe shoqëronte vallen e famshme O festë të madhe ka sot Shqipëria të etnokoreografit Panajot Kanaçi. Ka shoqëruar përveç këngëtarëve pukjanë si Zojë Pali, Dava Gjergji, Vitore Rusha, Gëzim Ahmeti edhe këngëtarët e Ansamblit të shtetit: Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Zeliha Sina, Drita Papajani, Fitnete Rexha, Marjana Leka, Mejreme Xaja etj. Duhet theksuar se në këtë formacion kulturor Ndue Shyti kishte edhe vajza të cilat ishin mësuese muzike në shkollat e rrethit , një risi për kohën. Qindra instrumentistë u përgatitën në akademinë muzikore të tij. Në pamundësi për ti përmendur të gjithë më duhet të përmend disa si: Ndue Shyti, Fran Zefi, Pjetër Nimani, Mark Shyti, Sabrie Nushi, Gjovalin Ndreca, Tonin Haxhia, Sadri Lleshi, Mark Ndreca, Besnik Haxhia, Riza Hoxha, Nikollë Pernoka, Nikoll Jaku, Frrok Gjonaj, etj.


***


Arsenali i motiveve të larmishme të padëgjuara më parë e kishin burimin tek krijimtaria popullore që ai e njihte në perfeksion dhe e adhuronte aq shumë. Pasioni i tij shoqërohej me një vullnet të madh. Netë të tëra ai kalonte në studion e tij të vogël duke prodhuar bilbila e duke i rënë çiftelisë. Që nga viti 1968 kur ai krijoi bërthamën e parë të orkestrës ndërmori dhjetëra e dhjetëra ekspedita studimore në rrethin e Pukës. Me koreografin e mirënjohur Riza Hoxha, kompozitoren e studiuesen Sabrie Nushi, me profesorin Xhemal Meçi , rapsodin tipologjik të veriut Fran Pali, mësuesit e studiuesit Mustaf Beqiri, Muhamet Cufaj, Lin Gjini, kalonte fshat më fshat e shtëpi më shtëpi duke zbuluar pjesë të reja të pasurisë shpirtërore të popullit. Ai zbulonte talente të rinj, rite, zakone, lojëra, veshje karakteristike që gjyshet tona i ruanin në arkë për ditën e vdekjes. Po kështu, këngë djepi, balada, valle, tërhiqnin vëmendjen e tij. Gjithë këto xhevahire strukur në shpirtin e popullit në shekuj, merreshin nga Mjeshtri i Madh e bashkëpunëtorët e tij dhe, pasi kalonin në laboratorin e tij krijues, i riktheheshin përsëri popullit në festival, ekranet e televizionit, në valët e radios duke u vlerësuar me mime të mëdha e trofe të ndryshme. Ky ishte Ndue Shyti që studiuesi Mark Mesuli vitin e kaluar e ka cilësuar Gjeniu i Çiftelisë në një botim monografik për tepër të arrirë që doli në dritë me rastin e tetëdhjetëvjetorit të artistit të madh i cili mban edhe titullin e lartë: Nder i Kombit.


Si vlerë kombëtare, mendoj se simfonia e tij para se të përfundojë në dhomat e errta të muzeve ndoshta meriton të mbrohet nga UNESKO, si vlerë kulturore botërore, ashtu si kënga polifonike e Jugut. Tani gishtat e tij elegantë nuk mund të lozin më në fyell, bilbil e në tastierën e çiftelisë si pasojë e një paralize në anën e majtë. Tani Mjeshtrit i mungon skena, po kujtesa më e mirë artistike e kombit shqiptar nuk mund ta heqë nga skena këtë artist të madh për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm, veçimit të tij origjinal, të papërsëritshëm. Një proverb thotë: Lisi pasi rrëzohet matet sa i gjatë është. Vitet rrëzojnë për shkak të moshës dhe radhitjes së tyre shtresore, po arti i madh që ai krijoi e rilind çdo ditë Ndue Shytin duke sjellë gjithnjë shëmbëlltyrën e një arti në lartësi të papërsëritshme estetike që ngriti dhe lartësoi kulturën shqiptare, jo vetëm në skenat e vendit po edhe në evente ndërkombëtare. Të falenderojmë profesor, artist i Popullit dhe Nder i Kombit për kënaqësitë e mëdha që na ke dhuruar në fushë të artit dhe të urojmë: gëzuar tetëdhjetë e një vjetorin tënd, që ti e ke shkruar dhe lartësuar me tinguj magjikë të krijimtarisë tënde dhe gurrës popullore. Jetë të gjatë sa të do zemra jote.


*Regjisor