Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me banorë në Shijak, për shpërndarjen e certifikatave të legalizimit:

"Sot, kur më thanë që organizohej ky takim, do të kishte pasur një debat midis Artan Lames dhe kabinetit tim, për shkak se ju e dini që tani janë disa ditë shumë të rëndësishme dhe një problem shumë madhor. Unë i thashë do të shkoj në Shijak dhe realisht jam shumë i kënaqur e ndihem shumë mirë kur vij këtu. Sidomos nuk doja të humbja rastin për ta parë këtë transformim të jashtëzakonshëm të qendrës së qytetit tuaj, në praninë tuaj dhe për t'ju siguruar që kjo punë do të vazhdojë.

Ne vërtetë e kemi nisur punën dhe kemi bërë shumë për qendrat e qyteteve, por ky është thjesht një fillim i mbarë i një punë që do të shtrihet më tutje. Ne tani jemi duke punuar për të siguruar financimin për shtratin e lumit, që është një pengesë shumë e madhe dhe krijon vazhdimisht pasoja kur lumi del nga shtrati. Do të vazhdojmë me punët publike, do të vazhdojmë ta mbështesim bashkinë e Shijakut dhe kryetarin e bashkisë, ta mbështesim këtë komunitet që vërtetë është një komunitet qytetar dhe i shkëlqyer dhe këtë e tregon edhe pamja që unë kam përpara syve. Kështu që faleminderit për mikpritjen.

Për legalizimin këtu, në fakt, shifrat flasin vetë. Në kemi ardhur në Shijak dhe kemi qënë po këtu, në shkurt të vitit 2015 dhe kemi folur për një problem të madh, të trashëguar, që ishte bërë një pengesë kryesore për të gjitha familjet që kërkonin legalizimin. Ishte problemi me zyrën e regjistrimit të pasurive, pasi nuk ishte bërë në 25 vjet regjistrimi i pasurive në hipotekë. S'kishte regjistrime, thesar pronash, çka ju i dini shumë mirë.

Në 8 vjet me Partinë Demokratike - nuk dua të flasë shumë për Partinë Demokratike se janë duke bërë edhe mbledhje, si t'ia bëjnë, a të hapin luftë me Amerikën, apo të bashkohen me popullin dhe nuk duhet t'i shqetësosh, - në atë kohë u bënë vetëm 7 legalizime në gjithë Shijakun. Një zonë ku Partia Demokratike nuk është trajtuar keq, por përkundrazi ka pasur mbështetje, ka pasur demokratë simpatizantë, të cilët i kanë dhënë Partisë Demokratike jo pak vota dhe çfarë kanë marrë mbrapsht? Në 8 vite vetëm 7 legalizime, ndërkohë që në të 7 legalizimet nuk ka asnjë banesë për një familje të zakonshme, por që të shtata janë restorante. Ndërkohë, njerëzit janë zvarritur, zvarritur e zvarritur.

Sot ndajmë 1001 leje legalizimi, që do të thotë se nga ky shesh dalin sot pronarë të shtëpisë së tyre, me dokumente në dorë, 1001 familje. Nga ana tjetër mbeten dhe rreth 250 objekte, që në bazë të legjislacionit aktual kanë një problematikë të caktuar, por që ne do të bëjmë çdo gjë për ta zgjidhur ketë problematike, duke ndërhyrë në legjislacion. Historia e legalizimeve ka qënë ec edhe gjej pengesa, gropa, në raport me bazën ligjore.

Edhe një shifër tjetër që besoj ka shumë rëndësi është që ritmi aktual i legalizimeve në vend është 4500 deri në 5000 legalizime në muaj, që do të thotë që me këtë ritëm, në gjithë Shqipërinë legalizojmë në 4 muaj atë çfarë ka legalizuar Partia Demokratike në 8 vite dhe çdo 4 muaj sa për 8 vite të tyre. Në një vit - është një llogari që s'ka të krahasuar, - sa për 21 vite të tyre.

* * *

Zyrat e ALUIZNI-t përfundojnë rreth 5000 legalizime në muaj, falas, duke bërë përfundimisht pronarë të banesave të tyre, mijëra familje që prej dekadash janë sorollatur dhe lënë në harresë. Ecuria e mirë e procesit të legalizimit u evidentua sot nga Kryeministri Edi Rama, në një takim me banorë të Shijakut, ku u shpërndanë 1001 certifikata legalizimi.

Me administrimin e ri të ALUIZNI-t është arritur që në katër muaj, numri i objekteve të legalizuar të jetë i barabartë me legalizimet e bëra në tetë vite të qeverisjes së kaluar. Në Shijak, në tetë vitet e qeverisjes së kaluar ishin legalizuar vetëm shtatë objekte dhe të shtata restorante dhe asnjë shtëpi. Një fakt ky i nënvizuar edhe nga vetë ata që sot u bënë pronarë të shtëpisë së tyre.

"Faleminderit se deri tani ishim në ajër, tani u bëmë me pronë, me shtëpi," - tha Gëzim Domi.

"Ju falënderoj shumë, sepse kishim fiks 11 vite që e kërkonim dhe nuk na e jepnin," - tha ndër të tjera Gëzim Senjari.

"Kemi kaq vjet që ne mundohemi për një letër. Edhe këta të ALUIZNI-t na kanë ndihmuar pa asnjë kacidhe," - tha një tjetër qytetare.

"Kur thatë se do ndani 1001 leje legalizimi nga ky shesh, kjo nuk është përrallë si e 1001 netëve, por është realitet. Ju e bëtë realitet në këtë shesh, për të cilën ju falenderoj juve, qeverinë dhe respekt për fjalën e mbajtur," - u shpreh Avni Xhafa, po ashtu një përfitues i certifikatës së legalizimit.

Një falenderim të veçantë për praninë e Kryeministrit në takim pati një zonje: "Falënderoj veçanërisht sot për pjesëmarrjen zotin Kryeministër. Me gjithë atë hall të madh që vërtetë i ka rënë kësaj qeverie, ai sot është pjesëmarrës".

"Jo, hallin e kanë të tjetër, ne jemi në rregull. Çfarë halli kemi ne? Hallin e kanë ata që kane frikë nga drejtësia," - u shpreh Kryeministri. Ndërsa siguroi se qeveria po mban dhe do vazhdojë të përmbushë premtimet e saj, kundrejt votës që qytetarët i besuan kësaj qeveri në vitin 2013.

"Kjo është për të gjithë ata që thonë çfarë rëndësie ka vota, se si votove apo nuk votove është njësoj, në fund të fundit këta janë të gjithë njësoj. Në fakt, vota ka shumë rëndësi, sepse po të mos ishte votuar për këtë qeveri në vitin 2013, shtatë legalizime në tetë vjet Partia Demokratike, deri tani do të ishim te legalizimi i dytë, duke menduar për të tretin. Dhe kjo erdhi si rezultat i votës. Ne po bëjmë detyrën, shpresoj ta bëjmë mirë. Sigurisht jam i bindur se do ta bëjmë shumë më mirë, por për falënderime, në radhë të parë duhet të falënderoni vetën dhe të gjithë ata që kanë votuar Partinë Socialiste, sepse i kanë hapur rruge një qeverie që drejtohet nga Partia Socialiste dhe i kanë hapur rrugë azhornimit të pronave, regjistrimit të pronave dhe marrjes së legalizimeve. Ju do të thoni kë duhet të falenderojnë ata që nuk kanë votuar për ne? Ata duhet të falenderojnë ata që kanë votuar për ne. Kështu, kush këtu është demokrat nuk duhet të na e dijë ne për nder, por të gjithë atyre komshinjve, kushërinjve dhe banorëve që votuan për ne. Herë tjetër, ju vazhdoni të votoni në drejtimin e gabuar, se sa të jenë komshinjtë tuaj që votojnë për ne, edhe ju jeni të sigurt," - u shhpreh Kryeministri.