Për gjithsej 51 vende të ofruara për studim në Fakultetin e Edukimit, provimit pranues të enjten i janë nënshtruar rreth 1.400 kandidatë.

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", po organizon provimet pranuese në fakultetet, ku kanë mbetur vende të lira nga afati i parë i provimit pranues për studentët në vitin akademik 2014/2015.

Pra, 28 veta kanë garuar të enjten në Edukim për një vend studimi. Ndërkaq, në përgjithësi në UP për 3.200 vende sa janë ofruar me konkurs për konkurrim, si të mbetura të lira nga afati i parë, kanë aplikuar rreth 11 mijë kandidatë, shkruan gazeta Zëri.

Fakulteti i Edukimit, për nga interesimi i të rinjve për të studiuar në të, ndiqet nga Fakulteti Ekonomik, ai i Mjekësisë dhe Fakulteti Juridik.

Fakulteti i Edukimit ka adresuar në Rektorat një kërkesë duke kërkuar që të rritet, sidomos numri me korrespondencë i listës së të pranuarve. Vetëm 16 vende janë paraparë me korrespondencë.