Sazani dhe Karaburuni nuk janë më një zbulim i ri për pushuesit e turistët. Me qindra janë qytetarët që nisen çdo ditë nga brigjet e Vlorës drejt këtyre destinacioneve, për të shijuar bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.


Në Karaburun mund të shkohet përmes rrugëve tokësore dhe detare. Por pushuesit zgjedhin më së shumti këtë të dytën. Infrastruktura rrugore për në gadishull është e amortizuar. Kurse lundrimi me mjete detare nga brigjet e Vlorës është një eksperiencë për të mos u humbur.


Shpella e Haxhi Aliut është një nga bukuritë e rralla që të ofron Karaburuni. Në gjiret e vogla, eksploruesit e natyrës mund të gjejnë qetësinë larg zhurmës së plazheve masive.


Plazhet e Karaburunit janë plazhe të virgjëra. Me ndihmesën e bizneseve janë krijuar njësi të vogla shërbimi, duke ruajtur mbi të gjitha natyrën, duke respektuar mjedisin dhe duke u bërë pjesë e atraksionit të ri të Vlorës, thotë Dritan Leli, kryebashkiak i Vlorës.


Më tej ishulli i Sazanit, i vizitueshëm për turistët prej një viti. Në pjesën perëndimore të tij bie në sy betonizimi me bunkere, por dhe relievi i thyer. Edhe këtu nuk mungojnë shpellat e vogla e guvat, në të cilat nuk mund të bësh plazh, pasi bien thikë nga mali.


13 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH