Nga Express më 15 prill 2011 në ora 10:45

(E plotësuar) Komisioni Qendror i Regjistrimit ka vendosur të shtyjë edhe për disa ditë, në Prishtinë dhe disa komuna të tjera, regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave.



Autoritetet përgjegjëse për regjistrim kanë bërë të ditur se në përpjekje që procesi të jetë më gjithëpërfshirës, regjistrimi është shtyrë deri të martën në disa komuna të Kosovës – në Prishtinë, Deçan, Partesh, Kllokot dhe në disa komuna të tjera, raporton REL.



Në këtë proces i cili nisi më 1 prill janë angazhuar 4900 regjistrues. Ata janë mbikëqyrur nga 900 kontrollorë, 110 mbikëqyrës dhe 40 inspektorë të shtetit, të cilët kanë ofruar këshillat e nevojshme gjatë punës në terren.



Po ashtu edhe Operacioni Monitorues Ndërkombëtar (IMO) dhe EUROSTAT-i përmes 27 monitoruesve ndërkombëtarë kanë përcjell procesin e regjistrimit.



Në veri të vendit, regjistrimi nuk ka filluar fare. Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson, tha se për shkak se ambienti politik ka bërë që në veri të mos jetë realizuar regjistrimi.



Ai tha se duhet të përmbushen disa kushte dhe se duhet të arrihet një marrëveshje me vendim-marrësit e ndryshëm, por nuk saktësoi se për cilët vendim-marrës bëhet fjalë.



Deri në ditën e 12 të regjistrimit, ishin regjistruar rreth 1.5 milionë e popullsisë, kurse nga regjistrimi i 95 për qind i popullatës në Prishtinë, ka dalë se në kryeqytet jetojnë rreth 200 mijë banorë.




Sot përfundon regjistrimi, Prishtina 200 mijë banorë




Regjistrimi i popullsisë dhe pronave në Kosovë, i cili po kryhet pas 30 vjetësh, përfundon sot.



Enti i Statistikave të Kosovës (ESK) ka paralajmëruar se rezultatet e para të këtij procesi do të publikohen në ditët në vazhdim.



Gjatë ditës pritet që Komisioni shtetëror të dalë me një analizë të përgjithshme për rrjedhën e procesit të regjistrimit që prej një prillit.



Siç është njoftuar në pjesën veriore të vendit, serbët kanë bojkotuar regjistrimin, kurse UNOPS-i dështoi ta bëjë këtë gjë.



Pavarësisht nga dështimet atje, të dhënat e mbledhura do t’u ndihmojnë planifikuesve në përcaktimin e strategjive afatshkurta e afatgjata zhvillimore.



Qysh tash, disa të dhëna tregojnë se ka pasur ekzagjerime në mungesë të të dhënave të verifikuara.



Në kryeqytet deri më 12 prill janë regjistruar rreth 200 mijë banorë, kanë konfirmuar zyrtarët e komisionit komunal për regjistrim, ndryshe nga pritjet që shifrat të kalonin gjysmë milionëshin.