Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantieret e Rilindjes Urbane në Vlorë, që kanë shndërruar të gjithë qytetin në një kantier të madh pune. Janë tre investime strategjike që rregullojnë përfundimisht lëvizjen e mjeteve në qytet dhe drejt Bregut dhe transformojnë vijën bregdetare.

Rruga Transballkanike me gjatësi 3.7 kilometra, që fillon në superstradën Vlorë-Fier është një segment strategjik në infrastrukturën e qytetit. Ajo i jep Vlorës një hyrje moderne dhe orienton lëvizjen e mjeteve jashtë qendrës së qytetit. Po ashtu lehtëson lëvizjen e mjeteve në zonën industriale. Është zgjeruar traseja e rrugës, është bërë spostimi i linjës kryesore të ujësjellësit, janë vendosur trafikndarëset dhe shtyllat e ndriçimit, kanë përfunduar trotuaret dhe zonat e gjelbëruara.

Ndërkohë ka avancuar ndërtimi i vijës bregdetare të Vlorës. Është bërë rehabilitimi dhe rivitalizimi i hapësirës urbane brenda vijës bregdetare, duke e transformuar në një shëtitore bregdetare që do t'i japë asaj tiparet e një plazhi mesdhetar. Kryeministri përshkoi të të gjithë vijën bregdetare, duke u ndaluar në çdo kantier pune të hapur përgjatë 5 kilometrave të saj.

"Kjo është një vepër shumë komplekse, me shumë detaje, me punime inxhinjerike të jashtëzakonshme për shkak të gjithë problematikë së kanalizimeve që deri dje derdheshin në det, të përmbytjeve që vinin si rezultat i mungesës së kanalizimeve normale dhe mbi të gjitha i domosdoshmërisë për ta transformuar në një vijë bregdetare të standardeve më të lartë të Mesdheut. Unë jam i bindur që i gjithë ky volum i jashtëzakonshëm pune do të japi rezultat fantastik dhe gjithë ata, që nga padurimi lëshojnë romuze dhe fjalë të nxituara, kur të mbarojë kjo punë, do të thonë që unë s'kam thënë gjë, unë e dija që do të dilte bukur, e ka thënë dikush tjetër, nuk kam qënë unë. Ajo që ka rëndësi është që të ecim me ritëm dhe me cilësi shumë të lartë dhe këtu përftohen hapësira spektakolare që deri dje ishin të bllokuara nga ndërtime abuzive, ose ndërtime tërësisht jashtë çdo lloj kriteri, ose nga ferra dhe ujëra të zeza, apo nga braktisja totale në sipërfaqe të tëra. Është një projekt spektakolar që do të ketë një rezultat spektakolare," - u shpreh Kryeministri.

E lidhur ngushtë me ndërtimin e vijës bregdetare është rikonstruksioni i rrugës "Dhimitër Konomi", një aks jetik i unazës së qytetit. Ky aks siguron një kalim të ri për automjetet jo më përmes lungomares, por trafiku devijohet sipër qytetit. Mbi trasenë ekzistuese, totalisht të rrënuar, po punohet për ndërtimin e një rruge me të gjitha elementet e infrastrukturës europiane. Punimet përfshijnë edhe rehabilitimin e ujësjellësit në këtë segment. Ky aks normalizon edhe trafikun në qytet, i cili veçanërisht gjatë sezonit veror krijon bllokime e vështirësi në qarkullim, me orare të gjata në trafik.

"Me plotësimin e infrastrukturës mbrapa do të çlirohet gjithë pjesa përpara, sepse nuk është një rrugë për të përshkuar atdheun, por është një rrugë shëtitoreje dhe nuk mund të ketë një shpejtësi më të madhe sesa shpejtësia që imponon kalimi me 2 korsi. Nuk mund të ketë më shumë korsi, sepse ndan në mënyrë brutale gjithë pjesën e jetueshme nga plazhi dhe i kthen në aventura gjithë kalimet e rrugës së atyre që vijnë për të pushuar, ose atyre që jetojnë drejt hapësirës publike. Rruga dytësore që do të ndërtohet, rruga mbrapa dhe rruga lart do të plotësojnë gjithë nevojat për një trafik më normal. Ndërkohë që në kohën e pikut bllokohen autostrada, jo më rrugët e qyteteve turistike, që janë gjithmonë të rënduara nga trafiku," - nënvizoi Kryeministri.

Në këto inspektime, Kryeministri Rama shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe ekipi teknik i punimeve.