20/04/2012  Nis hartimi i planeve të detajuara për pjesë të veçanta të qytetit


Berisha: Plani do të ndalë betonimin e kryeqytetit


Në javët e para të muajit maj grupi strategjik i ekspertëve do të marrë në dorë për vendimmarrje draftin e detajuar të planit rregullues të Tiranës, projekt i cili më pas do të konsultohet edhe me qytetarët. Në takimin e zhvilluar dje me ekspertë të fushës së urbanistikës e studentë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha ka deklaruar se pas diskutimeve me qytetarët plani do të kalojë për miratim përfundimtar pranë strukturave vendimmarrëse, që është Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, jo më vonë se shtatori i këtij viti. Sipas përcaktimeve të bëra nga ekspertët, plani do t’u japë fund ndërtimeve kuturu, sikundër ka ndodhur deri më sot. Basha ka deklaruar se një proces tjetër do të nisë së shpejti: ai i hartimit të planeve të detajuara për pjesë të veçanta të qytetit. Plani i ri do të sistemojë kriteret e përcaktimit të zonave ku do të ndërtohet, si dhe do të përmirësojë bashkëveprimin me komunat, që këto të fundit të mos shihen si njësi vendore që japin leje ndërtimi kuturu. Në studimin e bërë është menduar që zona e urbanizuar e Tiranës të kufizohet: në pjesën lindore nga Parku i Dajtit, pjesa jugperëndimore synohet të kthehet në një park periferik për kryeqytetin (kodrat e Stërmasit, diku në Vaqar, Farkë dhe Vaqar, i kapin të dyja), si dhe është rënë dakord të identifikohet një gjurmë në pjesën perëndimore, meqenëse pjesa perëndimore e Tiranës, ndonëse është e urbanizuar, nuk ka shërbime të mira nga pikëpamja e gjelbërimit. Janë identifikuar hapësirat e mundshme, diku afër rezervuarit të Kasharit, për një mushkëri të gjelbër në pjesën perëndimore. Është menduar edhe për tri parqe qyteti: parku i Liqenit, i Farkës dhe Paskuqanit.


Plani i ri urbanistik synon:


- Zgjerimin e bulevardit kryeqytetas deri te stacioni i trenit dhe përgjatë lumit të Tiranës.


- Rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, krijimin e parkimeve dhe akseve të nëndheshme të qarkullimit.


- Realizimin afatgjatë të projekteve për trafikun, siç është ndërtimi i unazës së madhe.


- Krijimin e hapësirave të gjelbra dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës.


- Sistemimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së brendshme të lagjeve të kryeqytet.


- Sistemimin e linjave urbane e interurbane si dhe ndërtimin e tramvajit për transportin publik.


- Tramvaji do të realizohet në dy drejtimet kryesore: Kinostudio–Kombinat dhe drejtimin veri-jug, ku do të përfshihet edhe arteria që tashmë do të projektohet nga hekurudhë në rrugë, për tramin nga stacioni aktual i trenit, te stacioni i ri në dalje të Tiranës në zonën e Laprakës.