"Paqja në botë është akoma një utopi e madhe, por shpresën për një të ardhme më të mirë mund ta gjejmë në gjeneratat e reja dhe në muzikën që nuk ka barriera, kalon edhe mbi diferencat raciale dhe kulturore". Këto janë fjalët e violinistit Rrok Jakaj, i cili u nda nga jeta disa vite më parë, emrin e të cilit e mban shoqata në qytetin e Shkodrës dhe për nder të të cilit organizohet Shkodra Jazz Festival, tashmë në edicionin e tij të gjashtë. Shkodra Jazz Festival e merr nismën nga Shoqata Kulturore Rrok Jakaj. Festivali i cili do të zhvillohet më 11 dhe 12 qershor në qytetin e Shkodrës, i kushtohet violinistit të shquar Rrok Jakaj. Në këtë festival do marrin pjesë muzikantët Jorge Pardo Isaac Turienzo, të cilet janë muzikantë shumë të rëndësishëm spanjollë të muzikës jazz dhe flamengo, por dhe disa pjesëmarrës të tjerë. Drejtor dhe producent artistik i ketij festivali është Florian Jakaj.

Shkodra Jazz Festival që do të mbahet në teatrin "Migjeni" në Shkodër është mbështetur nga bashkia e Shkodres, ambasada spanjolle dhe ambasada austriake.