Ndërsa pritet vizita e Ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, në Beograd e Prishtinë ngrihen pyetjet se çfarë do të diskutojë Ministri gjerman me liderat e dy vëndeve.
Sipas shtypit serb në tryezën e diskutimeve mes zëvendëskryeministrit të parë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Ministrit të Jashtëm gjerman do të jetë çështja e shtetësisë dhe dokumentet e identitetit për serbët në Kosovë.
Gazeta Novosti shkruan se nga rezultati i bisedimeve për këto dy çështje të rëndësishme për Beogradin varet dhe hapja e dyerve për marrëveshjen finale rreth implementimit të marrëveshjes së Brukselit, si dhe marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE të Serbisë.
Por nëse dështojnë bisedimet e Serbisë dhe Kosovës për zbatimin e marrëveshjes mes Kryeminstrit të Kosovës dhe atij serb ne muajin prill për normalizimin e marrëdhënieve, atëhere Bundestagu gjerman, nuk do të votojë që Beogradi të marrë datën e negociatave për në BE, thuhet nga zyrtarët gjermane.
Ndërkaq Beogradi për zbatimin e marrëveshjes kërkon që serbët e Kosovës të kenë shtetësinë serbe dhe që me dokumentet e Serbisë të dalin në zgjedhjet lokale, të planifikuara për vjeshtë.
Kryediplomati gjerman pritet të ushtrojë të njëjtin presion dhe Prishtinës në mënyrë që të heqin dorë nga kërkesa për shuarjen e menjëhershme të institucioneve serbe në Kosovë. Nëse Kosova e pranon atëherë dhe Beogradi do të tregojë vullnetin e mirë që të zbatojë një pjesë të marrëveshjes që ka të bëjë me policinë dhe gjyqësorin.
Sipas gazetës, për “zgjidhje të mesme” është pajtuar edhe Washingtoni, që ka pranuar që institucionet serbe të veprojnë deri në vjeshtë, e që këto zgjedhje pastaj të organizohen nga Prishtina, Beogradi dhe OSBE, pas të cilave do të formohen organet e Asociacionit të komunave serbe.