20/01/2009  Në buxhetin e këtij viti janë 36 miliardë lekë për interesat e borxhit


Pas 4 vitesh, në tregjet e huaja 217.1 miliardë lekë borxhe nga 181.6 miliardë


Fatura e kostos së borxhit, që qeveritë shqiptare kanë marrë, sa vjen e rëndohet. Edhe për 4 vitet e ardhshme ky borxh do të shkojë në rritje, kryesisht sa i përket parave që Qeveria do të marrë hua në tregjet e huaja për të financuar shpenzimet publike. Në buxhetin e shtetit të vitit 2009, Qeveria ka dispozicion rreth 36 miliardë lekë ose 360 milionë dollarë për të paguar interesat e borxhit publik. Krahasuar me vitin 2005 shpenzimet për koston e borxhit janë rreth 7 miliardë lekë më të larta. Për këtë vit, është parashikuar që borxhi publik në total të shkojë në 621.0 miliardë lekë. Nga kjo shifër, borxhi i brendshëm pritet të arrijë në 431.1 miliardë lekë dhe borxhi i huaj në 189.9 miliardë lekë.


Parashikimet


Për vitin 2010 vit borxhi publik parashikohet të arrijë në 659.6 miliardë lekë dhe borxhi i huaj në 198.7 miliardë lekë. Ndërsa në 2011, borxhi publik në total pritet të arrijë në 698.9 miliardë lekë, kurse borxhi i huaj pritet të arrijë në 207.5 miliardë lekë. Viti 2012, pritet ta gjejë vendi me një borxh prej 740.1 miliardë lekë në total, ndërsa borxhi i huaj mund të arrijë në 217.1 miliardë lekë. Rritja më e madhe siç vihet re edhe nga shifrat do të jetë në tregun e huaj. Qeveria ka bërë publik faktin se duke nisur nga ky vit, për shkak edhe të ndikimit të krizës ekonomike, do të marrë hua në tregjet e huaja dhe jo në sistemin bankar vendas. Kjo për t’i dhënë mundësi kreditimi ekonomisë vendase nga bankat e nivelit të dytë. Gjithashtu, gjatë viteve të fundit, është synuar orientimi i huamarrjes publike në tregun e huaj, me argumentin se interesat janë më të ulëta, por sigurohet edhe një impakt më i madh në ekonomi.


Në raport me PBB-në


Borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto do të vijë në rënie. Në vitin 2006 borxhi publik në total në raport me PBB-në ishte 55.4 për qind, ndërsa parashikohet që në vitin 2009 të jetë 52.6 për qind. Po kështu në vitin 2012 ky borxh në raport me PBB-në parashikohet të arrijë në 46.8 për qind. Ky ka qenë edhe një rekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas Jiri Jonas, ekonomist i FMN-së, borxhi publik mbetet ende shumë i lartë, mbi 50 për qind i prodhimit të brendshëm bruto që e bën vendin tonë të cenueshëm ndaj lëkundjeve të disfavorshme që mund ta çojnë borxhin publik në nivele të paqëndrueshme.


Shpenzimet buxhetore


Për vitin 2010-2012, shpenzimet buxhetore parashikohen të arrijnë rreth 32,02% të PBB-së. Sipas ekspertëve, në këtë vlerësim nuk përfshihet përdorimi i të ardhurave nga privatizimet strategjike, pasi ato do të jenë objekt i buxheteve suplementare. Burimet do të përdoren kryesisht për reduktimin e deficitit buxhetor në rreth 3,0 për qind të PBB-së dhe për mbajtjen e një ritmi të lartë të investimeve prej 7,25 për qind të PBB-së në vitin 2010, 6,98 për qind në 2011 dhe 6,83 për qind në vitin 2012. Shpenzimet korente parashikohen përkatësisht në masën 23,51 për qind në 2010, sipas relacionit të kuadrit makroekonomik, 23,57 për qind në 2011 dhe 23,55 të PBB-së në 2012.