16/01/2012  Dy artikuj të medieve të huaja: Zonat e influencës të mafiozëve shqiptarë


Mafia shqiptare sa vjen dhe zgjeron hapësirat e saj nëpër botë, ku mban rekordin në trafikun e qenieve njerëzore dhe drogës. Mediet e huaja u kanë kushtuar dje 2 artikuj bosëve shqiptarë që kanë rritur prezencën e tyre në trafikun ndërkombëtar të qenieve njerëzore dhe influencën në Skoci. Artikulli tregon se si mafia shqiptare tanimë ka hyrë bindshëm në tregun e drogës në Skoci. Përveç shqiptarëve raportohen edhe gangsterë kinezë që qëndrojnë pas fermave të kanabisit, por edhe gangsterë nga Bangladeshi dhe Çekia. Mediat thonë gjithsesi se mafia shqiptare krijon më shumë probleme dhe shkakton frikë. Ata raportohet se merren me trafik armësh, drogë dhe femrash. Mendohet se mafia shqiptare ka reduktuar edhe influencën e mafies italiane në shumë zona. Policia skoceze thotë se familjet e mafies shqiptare kanë mbërritur fillimisht në Britaninë e Madhe pas luftës së Kosovës e, ndonëse janë një grup relativisht i vogël, konsiderohen mjaft të fortë, me një kod nderi dhe lidhje gjaku. Ekspertët thonë se mafia shqiptare përbën problem edhe për faktin se është shumë e vështirë të penetrohet brenda tyre. Ndërkaq, në një tjetër artikull thuhet se deri më sot numërohen 30 milionë qenie njerëzore të trafikuara nëpër botë, kryesisht nga mafia shqiptare dhe ajo ruse. Trafikimi i femrave për seks dhe fëmijëve për punë të detyruar përbëjnë dy prej shqetësimeve kryesore.