Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se kryeministri Edi Rama në vend që të reflektojë për kritikat e drejta të Gunther Krichbaum, ka zgjedhur të ndjekë një fushatë shpifjesh kundër tij.


Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate që po zhvillohet prej 3 ditësh, është se financohet nga paratë e krimit, të drogës që lidhen me Ramën, Tahirin dhe Veliajn. Ky aksion i ulët propagandistik dëmton interesat e vendit. Me këto sulme, Rama po shton radhët e deputetëve gjermane që janë pesimistë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, theksoi Basha.


Pas një takimi, të martën në Berlin me udhëheqësin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, i tha Deutsche Ëelle-s në edicionin shqip se, rekomandimi i Komisionit nuk do të jetë dokumenti i vetëm që do të merret parasysh, para se Bundestagu të miratojë hapjen e negociatave.


Perspektiva e Shqipërisë në BE është realiste. Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit, sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për çeljen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht, dua të konsultoj gjithashtu raportet e tjera për të marrë këtë vendim. Si për shembull, raportin e Transparency International, raportin e Bankës Botërore dhe raporte të tjera ndërkombëtare.


Si grup parlamentar i CDU-CSU-së kemi formuluar nëntorin e përpara dy viteve pika shumë të qarta, e tani duam të dimë sesa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë sesa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill të vitit 2018, e vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit, deklaroi Krichbaum.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)