Delegacioni i KE-së shtyn axhendën dhe vijon edhe sot negociatat. Pas dy orësh diskutime, nuk arrihet marrëveshja përfundimtare për zgjidhjen e krizës








Refuzohet hapja e pjesshme dhe ankimimi në Venecia





Kreshnik KUçAJ


Delegacioni i lartë i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës duket se do të shtyjë axhendën e parashikuar për vizitën në Shqipëri dhe kjo për vetë faktin se nuk është arritur akoma një zgjidhje për situatën politike në Shqipëri. Pavarësisht se mbrëmjen e djeshme, takimi në presidencë me kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama zgjati më shumë se 2 orë, takimi ka përfunduar pa një marrëveshje duke e bërë të nevojshme që negociatat të vijojnë edhe ditën e sotme. Fillimisht ishte parashikuar që vizita të përfundonte paraditen e sotme kur delegacioni kishte planifikuar edhe një konferencë informuese për median në orën 10:30 të ditës së sotme. Ndërkohë, pas takimit presidenca njoftoi se negociatat do të vijojnë edhe ditën e sotme me qellim që të gjenden të gjitha pikëtakimet e mundshme për realizimin e një marrëveshjeje e cila sipas presidencës, “zgjidh përfundimisht ngërçin politik të institucioneve shqiptare”. Ndërkohë, negociatat e pasdites së djeshme në presidencë nisën rreth orës 17:00 për të përfunduar pas më shumë se 2 orësh, ku i pari nga presidenca doli kryeministri Sali Berisha dhe më pas kreu i opozitës Edi Rama. Pas takimit në presidencë, kryeministri Sali Berisha është larguar drejt një restoranti në Tiranë, ku kishte planifikuar një darkë me sekretaren e shtetit francez për Tregtinë e Jashtme An Mari Idrak dhe me ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti.


Propozimi i parë


Gjatë diskutimeve të djeshme, delegacioni i Këshillit të Evropës dhe palët politike janë përqendruar në dy propozime për zgjidhjen e krizës politike të cilat duket se nuk kanë marrë pëlqimin e palëve deri në orët e vona të ditës së djeshme. Kështu, propozimi i parë që është diskutuar ka qenë ai i ngritjes së komisionit hetimor, futjes së PS-së në Kuvend dhe hapjes së kutive të votimit me kampionë të veçantë të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Përsa i përket këtij propozimi, nuk është diskutuar në aspektin teknik se çfarë mund të ndodhë nëse mund të përzgjidhen ndonjë nga qarqet mbi të cilat ka një vendim gjykate. Megjithatë, në këtë pikë duket se Partia Socialiste e ka lënë të hapur mundësinë edhe të mospërfshirjjes në marrëveshje të zonave për të cilat ka një vendim gkykate. Duket se ky lëshim mund të bëhet me kushtin e vetëm që kutitë e votimit të hapen për të bërë hetimin e plotë të procesit zgjedhor dhe për të kuptuar skemën e manipulimit që ajo pretendon se ka bërë qeveria. Vetë kryeministri Berisha në takimin e zhvilluar me deputetët e tij në mbledhjen e djeshme ka konfirmuar jashtë syrit të medias se nuk do të pranohet asnjë hapje e kutive në shkelje të vendimit të gjykatave. Prandaj, burimet pranë negociatave bënë të ditur për “Korrierin” se ky propozim nuk është preferuar nga kryeministri Sali Berisha. Madje, sipas burimeve në selinë blu, gjatë diskutimeve në presidencë delegacioni i lartë i Këshillit të Evropës nuk ka shprehur qëndrim për hapjen e kutive të votimit apo jo.


Propozimi i dytë


Propozimi i dytë që është diskutuar gjatë negociatave të djeshme ka qenë ai për ngritjen e komisionit hetimor i cili do të hetojë për parregullsitë e procesit zgjedhor pa prekur çështjen e kutive të votimit. Sipas këtij propozimi, Partia Socialiste futet në Kuvend dhe komisioni nis hetimin për pjesën parazgjedhore si presioni ndaj administratës apo lirimi nga burgjet i të burgosurve të rrezikshëm. Nga ana tjetër, menjëherë i dërgohet Komisionit të Venecias një kërkesë për interpretim juridik nëse mund të realizohet hapja e kutive të votimit apo jo. Ndërkohë, vetë interpretimi juridik nga Komisioni i Venecias mund të kërkojë më shumë kohë prandaj edhe palët duket se nuk kanë qenë shumë entuziaste për këtë propozim prandaj edhe marrëveshja nuk është arritur pasditen e djeshme në presidencë. Ndërkohë, pas takimit të zhvilluar në presidencë, palët politike nuk reaguan zyrtarisht përsa i përket negociatave me përjashtim të presidencës e cila njoftoi vijimin e diskutimeve ditën e djeshme.





Propozimi i parë


Opozita kthehet në Kuvend, ngrihet një komision hetimor për zgjedhjet, hapen kutitët e votimit në mënyrë të pjesshme. Kutitë që hapen përzgjidhen në mënyrë të rastësishme. Nuk përcaktohen detajet teknike nëse do të hapen kutive e votimit mbi të cilat ka vendime gjykate. Opozita lëshon përsa i përket qarqeve që kanë vendim gjykate me kusht që të hapen kuti votimit për të bërë transparencën e plotë për mekanizmin e manipulimit që pretendon se ka bërë mazhoranca.




Propozimi i dytë



Opozita kthehet në Kuvend, ngrihet komision hetimor parlamentar për të hetuar plotësisht procesin zgjedhor të 28 qershorit. Komisioni hetimor parlamentar me shumicën e opozitës nis hetimin për pjesën parazgjedhore si presioni ndaj administratës apo lirimi nga burgjet i të burgosurve të rrezikshëm. Nga ana tjetër, në mënyrë të menjëhershme i dërgohet Komisionit të Venecias një kërkesë për interpretim juridik nëse lejohet hapja e kutive të votimit apo jo.




çaushollu: Topi, i pari që zbatoi Rezolutën


Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Mevlut çaushollu vlerësoi dje rolin pozitiv të presidentit Bamir Topi në organizimin e tryezës së negociatave mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Referuar burimeve zyrtare të presidencës, në takimin e paradites së djeshme, presidenti çaushollu ka theksuar se kreu i shtetit është i “udhëheqësi i parë në Shqipëri që ka zbatuar rezulutën e APKE-së. Më pas, presidenti Topi dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Presidencial shkëmbyen mendime dhe pikëpamje rreth mundësive të gjetjes së pikëtakimeve mes mazhorancës dhe opozitës dhe zgjidhjes përfundimtare të ngërçit politik që ka mbërthyer skenën politike dhe disa institucione të vendit. Në vijim, Presidenti e njohu delegacionin me disa prej arritjeve më të rëndësishme të vendit tonë në rrugën e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar faktin se përmbushja e standardeve integruese është një detyrim, por edhe domosdoshmëri për shtetin shqiptar në shërbim të interesave madhorë të popullit shqiptar dhe në funksion të një së ardhmeje të sigurtë e me prosperitet. Nisur nga ky këndvështrim, Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të gjendjes politike, por përqendrimin kryesor kjo bisedë mes personaliteteve të larta e pati në zhvillimin e tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Lidhur me këtë, Presidenti Topi vuri në dukje dhe vlerësoi vullnetin politik të palëve për arritjen e një zgjidhjeve konstruktive që do i shërbente jo vetëm përmirësimit të klimës politike në vend, por në radhë të parë konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe të imazhit të jetës institucionale në Shqipëri, po ashtu dhe interesave madhorë të qytetarëve shqiptarë. Kryetari i Shtetit theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij në këtë drejtim, duke përdorur të gjithë mekanizmat kushtetuese dhe institucionale për arritjen e një rezultatit pozitiv. Presidenti Topi vuri në dukje gjithashtu se gjatë takimeve dhe diskutimeve në kuadër të tryezës politike, palët u janë referuar në mënyrë të veçantë pikave të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.