Rreth orës 09.00 në portin e Durrësit është ankoruar  një  nëndetëse turke, e cila sipas burimeve  nga Kapiteneria dhe Komanda e Forcave Detare do të qëndrojë për një vizitë  miqësore 3-ditore  në portin detar të Durrësit.


Gjatë periudhës së qëndrimit janë parashikuar një sërë veprimtarish njohëse dypalëshe, shtuan burimet e komandës detare. Nëndetësja TCG  Gyr S 357 , e cila është ankoruar në kalatën 4 të portit më të madh të vendit, është e prodhimit  gjerman të viteve 2000.  Ajo ka ardhur nga  nga porti i Napolit (Itali), ku kishte marrë pjesë në një stërvitje të përvitshme detare në kuadër të veprimtarive të NATO-s. Nëndetësja ka një ekuipazh prej 45 oficerësh dhe nënoficerësh.


Gjatësia e saj është 62 metra dhe pesha 1556 ton. Dy vjet më parë, një nëndetëse e të njëjtit tip me flamur turk zhvilloi një vizitë në portin e Durrësit. Nëndetësja turke Gyr do të qëndrojë në Durrës deri ditën e hënë.


Kjo është nëndetësja e dytë turke që vjen në  portin e Durrësit në harkun kohor të dy viteve.  Dy vjet më parë në portin më të madh të vendit ka ardhur edhe nëndetësja “Kubilay Kavuncu”, ndërkohë që këto dy nëndetëse janë të vetmet që kanë hyrë zyrtarisht në ujërat territorale shqiptare. / Mark Brunga