Gjatë një konference shtypi, të dy ministrat theksuar se qeveria shqiptare dhe ajo e Malit të Zi u angazhuan sot në hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike për të mundësuar më tej sigurimin e fondeve nga donatorët.
Prifti, theksoi se kishte diskutuar me ministrin malazez, për një sërë projektesh, duke theksuar këtu ndërtimin e linjës së re të transmetimit të energjisë elektrike 400 kV Tiranë-Podgoricë. "Të dy palët dhanë garancinë që kjo linjë të përfundojë brenda këtij viti, duke mundësuar transmetim më të lirë të energjisë mes dy vendeve", tha Prifti. Duke u ndalur në projekte të tjera, kreu i METE-s tha se "u diskutua mbi gjetjen e një rrugë për të shtuar shkëmbimet tregtare ".
Sipas Priftit, një tjetër pikë e bisedimeve ishin dhe projektet që lidhen me tërësinë ujore të liqenit të Shkodrës, të lumit Buna apo Moraçës në Mal të Zi."Një theks i veçantë iu vu projektit për thellimin e lumit Buna për t'a bërë atë të lundrueshëm për të dy vendet tona", deklaroi ministri Prifti. Ministri malazez i Ekonomisë, Branko Vujoviq, tha se pas marrëdhënieve të shkëlqyera në nivel shtetëror ekziston nevoja të përparohet në nivel ekonomik dhe për këtë ekzistojnë parametrat dhe vullneti i mirë i të dy palëve.