TIRANË- Nesër nis Muaji i Shenjtë i Ramazanit, i cili konsiderohet nga komuniteti mysliman si muaji i mirësisë dhe dashurisë. Duke uruar besimtarët mysliman si brenda dhe jashtë vendit për një agjerim sa më të lehtë, Kryetari i Komunitetit Mysliman shqiptar, Haxhi Selim Muça, u shpreh në një prononcim për mediat se "muaji i Ramazanit është një muaj i madhëruar, që e ka bekuar Perëndia, dhe nesër në vendin tonë dhe në të gjitha vendet islamike fillon agjerimi i muajit të Ramazanit".

"Muaji i Ramazanit duhet të mbahet nga të gjithë myslimanët dhe myslimanet në të gjithë botën", tha Muça, duke shtuar se "ai është i madhëruar sepse na afron të gjithëve sa më pranë Allahut dhe Perëndisë". 

Ramazani është muaji i nëntë i vitit sipas kalendarit të HIXHRETIT. Ajo që e dallon këtë muaj, është agjërimi, të cilin e kryejnë të gjithë besimtarët e botës islame. Në përfundim të këtij muaji, një miliard myslimanët e botës festojnë festën e Eid al-Fitr (Bajramin e Madh).
Komuniteti mysliman shqiptar, i cili vite më parë e respektonte në mënyrë të fshehtë muajin e shenjtë të Ramazanit, tashmë e mban atë në mënyrë të vullnetshme.

Thuhet se të parët që filluan agjërimin ishin egjiptianët e lashtë, të cilët agjëronin në një mënyrë të veçantë në festat e tyre. Agjërimin e praktikuan edhe kinezët e vjetër. Ata agjëronin sidomos në kohën e luftrave. Këtë rit ata e kishin të përcaktuar në ligjet e fesë së tyre. Edhe indianët kishin ditë dhe forma të caktuara të agjërimit, siç shpjegojnë librat e tyre të shenjtë si Brahma etj. Ata agjëronin zakonisht kur fillonte stina e pranverës ose e vjeshtës. Pasuesit e Budës, banorët e Tibetit dhe persët e vjetër kishin forma të ndryshme të të agjëruarit. Agjërimi është praktikuar edhe në Greqinë e vjetër, në forma të ndryshme, të cilat u morën nga koha e Faraonëve.
(m.a/ata/BalkanWeb)