Pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri i vendit Edi Rama tha se votat në Kuvend për ta miratuar nuk mungojnë, por se janë të duruar për të zgjedhur një President të paanshëm.


Rama tha qeveria i ka lënë të gjitha hapësirën e nevojshme Partisë Demokratike, por se këta të fundit nuk kanë paraqitur një kandidat. Kreu i qeverisë shpjegoi dhe karakteristikat që duhet të ketë figura presidenciale duke u shprehur se kërkojnë që ti kthejnë atij institucioni dinjitetin.


Sot ishte një tjetër shprehje, ne sikundër e kemi thënë më parë, për ti dhënë të gjithë hapësirën brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike të PD, dhe atyre që bashkë me të që janë , nuk paraqitën një kandidat se duam të krijojmë mundësinë që të gjejmë me atë pjesë që na mungon në parlament një konsensus për një figurë presidenciale. Unë jam i duruar se besoj te durimi kur është kufiri i durimit, përsa i përket Presidentin duam ti kthejmë atij institucioni dinjitetin, figurë që të ngrihet mbi palët, dhe të ketë paanshmëri, dhe jo figurë të anshme si kjo që kemi. Ne do presim, më mirë një President i duhur e i pranuar nga sa më shumë. Ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë, si motiv për të qenë arrogant, por për të qenë të duruar, tha Rama.


Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se mazhoranca i ka votat për kreun e shtetit, por po i jep një mundësi opozitës për t’u bërë pjesë e procesit me kandidatura të saja. Kreu i Kuvendit tha se vendi ka nevojë për normalitet dhe zgjedhje normale.


Ezaurimi i raundit pa kandidat ishte tregues i durimit dhe vullnetit për të pasur mundësinë edhe për të biseduar me opozitën, për një proces bashkëpunues dhe konsensual. Dihet që mazhoranca i ka numrat për të bërë një zgjedhje të plotë të Presidentit, por besojmë që ky është një proces shumë i rëndësishëm që kërkon bashkëpunimin e radhës.


Konferenca vendosi që raundi tjetër të jetë nesër, por kemi kohën e duhur për të diskutuar këtë çështje në tryezë, u shpreh Meta.


19 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)