Teknologjia


Komisioni i Komunikimeve në SHBA synon të lejojë ISP-të të diskriminojnë faqet e internetit


internetNjë grup sipërmarrësish pararojë në botën e teknologjisë kundërshtuan ashpër së fundmi planet e Komisionit Federal të Komunikimeve për të lejuar korporatat të paguajnë te kompanitë e shpërndarjes së internetit që të kenë prioritet në shpejtësinë me të cilën shpërndahet materiali i tyre.


Më shumë se 50 investitorë të profilit të lartë që njihen si aventurierë apo investitorë engjëj, për shkak se investojnë miliona dollarë në ide të reja biznesi pa marrë pronësinë mbi idenë, e konsideruan planin një sulm ndaj internetit, si një fushë ku kapitali i disponueshëm nuk ka shumë rëndësi në zhvillimin e një biznesi.


Nëse do të lejohen kompanitë të paguajnë për shpejtësi më të lartë transmetimi të dhënash, interneti nuk do të jetë më një fushë e sheshtë loje, – thanë investitorët në një deklaratë kundër këtij plani.


Komisioni i Komunikimit është kritikuar gjatë ditëve të fundit për këtë plan, i cili është skeduluar të votohet më 15 maj. Rreziku është që shpërndarja e internetit të manipulohet në favor të kompanive që kanë shumë para, të cilat do të fitojnë prioritet kur kompania e shpërndarjes së internetit të përcaktojë se sa shpejt shpërndahet një material në krahasim me një tjetër.


Përveç investitorëve sipërmarrës të Silikon Vallej, edhe gjigandët e internetit si Google, Facebook, Amazon etj., i shkruan komisionit javën e kaluar duke i thënë se ky propozim është një kërcënim i rëndë për internetin. Edhe qindra organizata të shoqërisë civile u bashkuan me thirrjet për të ndaluar këtë masë, në një letër për komisionin dhe për Presidentin Barak (Barack) Obama: Kompanitë e shpërndarjes së internetit (ISP) nuk duhet të jenë në biznesin e përcaktimit të fituesve dhe humbësve në internet. Por propozimi aktual i komisionit synon të bëjë pikërisht këtë, dhe kjo është arsyeja se pse ky plan duhet të mos miratohet, – thanë aktivistët.


Avokatët e mbrojtjes së konsumatorit prej kohësh kanë kërkuar nga Komisioni i Komunikimeve të riklasifikojë ISP-të si kompani shërbimesh të mbikëqyrura nga shteti, të ngjashme me kompanitë telefonike, por këto kërkesa janë përballur me kundërshtime të ashpra nga republikanët dhe kompanitë e shpërndarjes së internetit me bandë të gjerë.


Ky shkrim Neutraliteti i internetit vihet në rrezik u publikua me pare te Gazeta SHQIP.