Anastas Angjeli




Autoriteti Doganor shqiptar po ecën në rrugën e evropianizimit të shpejtë të tij. Dëshmi e këtij rrugëtimi është diskutimi që po zhvillohet për Kodin e ri Doganor. Ky diskutim, pas konsultimit me aktorët e interesit dhe pas miratimit në qeveri, tashmë po i nënshtrohet debatit parlamentar në komision për t’u miratuar më pas prej tij. Ky kod, që do të jetë dokumenti themeltar i ushtrimit të veprimtarisë së Autoritetit Doganor shqiptar, respekton parimet e ekonomisë së tregut dhe të lirisë së veprimtarisë ekonomike.  Ai është garant për zhvillimin e ekonomisë së hapur dhe konkurrencës së ndershme në zhvillimin e veprimtarisë së biznesit vendas dhe atij të huaj në vendit tonë. 




Nevoja për një Kod të ri Doganor




Hartimi i një projektligji të plotë për Kodin Doganor diktohen nga disa arsye. Së pari, nga nevoja për të përmbushur detyrimet e përcaktuara në MSA, për përafrimin e legjislacionit me direktivat dhe rregulloret e fundit të institucioneve të BE-së, veçanërisht me rregulloren e re, nr. 952, datë 9 tetor 20013, që përcakton Kodin Doganor të BE-së. Së dyti, diktohet nga fakti i periudhës së gjatë, që nga data e miratimit të ligjit nr. 8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i RSH-së”, i ndryshuar. Kodi Doganor aktual aplikohet në vend që prej 15 vjetësh dhe ka pësuar shumë pak ndryshime gjatë këtyre viteve. Kështu, gjatë kësaj periudhe kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar liritë ekonomike, janë përmirësuar kushtet dhe klima e biznesit, si edhe procedurat që duhen ndjekur nga operatorët ekonomike dhe nga administrata doganore. Përvoja e këtyre 15 vjetëve dikton reflektimin e shumë problemeve dhe fenomeneve të reja. Vetë zhvillimet në bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar me vendet komunitare dhe ekstrakomunitare, gjithashtu kanë ndryshuar. Po kështu, ka evoluar edhe roli i Autoriteteve Doganore në drejtim të menaxhimit dhe monitorimit më të mirë të tregtisë ndërkombëtare, duke i bërë organet doganore katalizatorë të tregtisë për zhvillimin e aftësive konkurruese të vendeve dhe kompanive. Për këto arsye, është e nevojshme dhe e domosdoshme që legjislacioni doganor të reflektojë realitetin e ri ekonomik dhe dimensionin e gjerë të rolit dhe misionit të doganave. Së treti, hartimi i një ligji të ri për doganat  lind edhe nga nevoja e zhvillimit të mëtejshëm të reformave rregullatore në ndihmë të përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Thellimi i reformës rreugllatore, për përmirësimin e klimës së biznesit, vjen veç të tjerave edhe nga përmirësimi, thjeshtimi dhe lehtësimi i procedurave administrative, të animimit dhe apelimit edhe në fushën doganore, me ndikim edhe në thellimin e luftës kundër informalitetit, mashtrimit, kontrabandës dhe evazionit fiskal. 




Risitë e Kodit të ri Doganor




Risia kryesori e Kodit të ri Doganor është futja e konceptit të Autoritetit Ekonomik të Autorizuar (AEO). AEO-të ndahen në dy kategori: Operatori Ekonomik i Autorizuar për “thjeshtime doganore”; Operatori Ekonomik i Autorizuar për “sigurinë dhe mbrojtjen”. Të dy këto lloj autorizimesh mund të mbahen njëkohësisht nga një operator ekonomik dhe ky status mund t’i jepet çdo operatori ekonomik të vendosur në territorin doganor të Shqipërisë që plotësojnë disa kritere rigoroze. Po kështu, Kodi i ri Doganor krijon lehtësira dhe përfitime nga përdorimi i teknologjisë së informacionit me përdorimin e sistemit IT, që ndihmon në analizat e menaxhimit të riskut dhe me çlirimin e shpejtë të mallrave. Po kështu, me Kodin e ri Doganor plotësohen dispozitat për vendimet e favorshme në lidhje me zbatimin e legjislacionit doganor; përmirësohen rregullat për magazinimin e përkohshëm të mallrave dhe për borxhin doganor; përmirësohen dhe plotësohen dispozitat për shkeljet doganore, pjesën e penaliteteve dhe ankimimeve dhe rrit transparencën.




Përmirësime të mundshme 




Kodi i ri Doganor përafron legjislacionin tonë në këtë fushë me atë të BE-së, me direktivat dhe rregulloret e saj. Ai sjell një sërë risish dhe përbën një bazë të shëndoshë në zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë, të konkurrencës së ndershme etj. Përmes këtij projektligji të ri synohet: përmirësimi, lehtësimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore, si edhe rritja e efikasitetit të tyre, që çon në thellimin e luftës kundër informalitetit, kontrabandës dhe evazionit fiskal; qartësimi i procedurave të rregulluara prej tij, si për bizneset, ashtu edhe për administratën doganore; harmonizimi i vendimmarrjes; unifikimi i një numri rregullash dhe praktikash të rëndësishme, të cilat deri më tani, mund të jenë aplikuar rast pas rasti; dhënia e më shumë të drejtave operatorëve ekonomikë, veçanërisht në drejtim të apelimit të vendimeve, si edhe zgjerimi i mundësisë për kontroll nga administrata doganore; plotësimi dhe përmirësimi i dispozitave për borxhin doganor; përmirësimi dhe saktësimi i rregullave qe? zbatohen pe?r regjime te? veçanta dhe garantimi i c?lirimit te? shpejte? te? mallrave. Nga krahasimi i bërë mes dy dokumenteve (projektligjit dhe rregullores së BE-së), konstatohet se në përgjithësi, ka një përputhje të plotë të direktivave. Por në disa raste (nene), përputhja është e pjesshme. P.sh. në rastet për procedurat e përjashtimit nga detyrimi i importit etj. përgjegjësia për përcaktimin e rregullave dhe procedurave i delegohet Këshillit të Ministrave. Kjo çështje kërkon të argumentohet më shumë. Në këtë Kod të ri Doganor, disa nga çështje, të cilat janë në kompetencë të Autoriteteve Doganore, për shkaqe objektive dhe subjektive, duhet të sqarohen. Fjala është për kompetencën që Organet Doganore ushtrojnë për mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe akcizave, veprim ky, që teorikisht dhe praktikisht, anon më shumë nga ana e shteti dhe jo nga ajo e biznesit. Ndërsa si çmime bazë për pagesën e detyrimeve doganore vazhdojnë të mbeten çmimet e referencës, edhe pse në ligjin e mëparshëm në këtë që propozohet, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë metoda e fundit që duhet të aplikohet. Kjo çështje i takon më shumë akteve nënligjore, të cilat duhet të përcaktojnë saktë rastet e përdorimit të kësaj metode. Ato duhet të jenë të sakta dhe sidomos duhet të kërkohet rigorozitet në zbatimin e tyre. Kësisoj, nevojitet një axhendë veprimesh për çështjet e rëndësishme kur kushtet të plotësohen.