meroNga Mero Baze


Zyra e Presidentit të Republikës po kthehet pak nga pak në një qeveri paralele në vend, duke fryrë administratën me zyrtarë politikë të Partisë Demokratike, që tashmë paguhen me taksat e shtetit shqiptar. Aktualisht Presidenti ka këshilltarë dy herë më shumë se kryeministri, katër prej të cilëve i ka vetëm në politikë të jashtme dhe diplomaci, ka një sërë nëpunësish të tjerë pa asnjë vlerë profesionale, por vetëm se kanë qenë në pushtet deri më 23 qershor dhe kanë ngelur pa punë për arsye politike.

Fryrja e organikës së Presidencës me gjithfarë militantësh politikë apo gra politikanësh të PD dhe rrotull saj, është një degradim publik i institucionit të Presidencës, e cila sipas formatit kushtetues që ka Presidenti, është thjesht një zyrë pune e Presidentit, i cili nuk ka funksione ekzekutive në ligj. Presidenti ekzekutiv u eliminua nga Kushtetuta në vitin 1998 dhe nuk ka më nevojë që Presidenti të ketë një qeveri paralele më këshilltarë, sikur do qeverisë vendin.

Ai maksimumi duhet të ketë një këshilltar ligjor dhe një diplomatik, që të mos bëjë gafa në takime më të huajt, dhe meqë ka probleme me komunikimin publik, mund ti shtohet dhe një fjalimshkrues për festat fetare. Fryrja e Presidencës me dhjetëra këshilltarë dhe krijimi i një administrate paralele me qeverinë, duhet ndaluar me ligj.

Shumica duhet të hartojë një ligj për funksionimin e Presidencës, ku të përcaktohen postet e këshilltarëve dhe buxhetin që duhet të akordohet për ndihmësit e Presidentit, në mënyrë që të mos vazhdojë të jetë një institucion pa asnjë kriter punësimi. Niveli i të punësuarve në Presidencë është i vajtueshëm dhe ajo po kthehet pak nga pak në një azil qokash të Bujar Nishanit për njerëz që njeh dhe që ia ofron Berisha. Më të aftët që ka marrë në fakt janë dy këshilltarët e Berishës, pasi ata së paku dinë të bëjnë ndonjë punë. Të tjerët janë një ushtri të paaftësh, që paguhen nga buxheti i shtetit vetëm se ka detyrime personale dhe politike Bujar Nishani.

Nuk them të veprohet siç bënte Berisha me Bamir Topin, që i hiqte buxhetin sipas dëshirës, por të fiksohet një organikë sipas ligjit të nëpunësit civil dhe punësimi të plotësojë disa standarde publike, pasi mes të tjerash, përveç pareve që paguajmë, dëgjojmë dhe idiotësitë e stafit të tij përditë.

Duke u kthyer në një qendër fallco pushteti, ai në të vërtetë është kthyer dhe në një institucion garant i korrupsionit dhe mosndëshkueshmërisë. Ata që kanë probleme me ligjin strehohen në Presidencë dhe pastaj drejtësia jonë merr sinjale mbrojtje. Ka mbi 7 muaj që ka shkuar në prokurori dosja e abuzimeve me reklamat e Frangajt dhe prokuroria nuk bën asnjë hap para, pasi Nishani ka punësuar objektin e hetimit në Presidencë. Ka plot shembuj të tjerë kur Presidenca është kthyer në protektore të hetimeve të nisura për korrupsion dhe degradim të tyre. Një arsye mes të tjerash është se aty punësohen njerëz që kanë probleme me drejtësinë.

Një ligj, i cili duhet të rregullojë standardet e një zyre dinjitoze të Presidentit, ndoshta do ti bënte mirë dhe Bujar Nishanit. Të paktën do na uronte një herë të vetme si President normal.