"Isha 5 metra larg kur nisi katastrofa. Sapo isha kthyer, kur pashë flakën. Vrapova drejt shpatit. Mora motrën 14 vjeçe, e cila m'u rrëzua njëherë, dhe vetëm vrapoja... Ishim duke mbushur karrocat me barut. Kishim vetëm 2 muaj e gjysmë që kishim filluar nga çmontimi i predhave, pasi më parë kemi çmontuar fishekët… Dy motrat, nëna, unë dhe e fejuara ime. Babi në momentin e shpërthimit ka qenë tek toka, disa metra larg fabrikës. Jam duke i kërkuar. I lutem Zotit të kenë shpëtuar. Motrën e vogël e kapa… vrapuam drejt shpatit për t'iu larguar sa të ishte e mundur shpërthimit. O Zot, çfarë të shihje pas shpërthimit! Bunkerë që fluturonin nga fuqia e madhe e shpërthimit. Tulla e gurë që fluturonin në ajër. Ruheshim se mos na zinte ndonjë gjë. Nuk kam për ta harruar kurrë këtë ditë! Ka qenë dita më tragjike e jetës sime dhe më tragjike do bëhet, nëse nuk më kanë shpëtuar personat e tjerë të familjes".


Kjo është dëshmia e Shkëlqim Brinit në një të përditshme pas krimit të përbindshëm të Gërdecit. Ai shton se menjëherë sapo mjekët kanë mbaruar mjekimin e tij është vënë në kërkim. "Kërkon motrat, nënën, të fejuarën…".


Nuk e di nëse Shkëlqimi i gjeti gjallë të dashurit e tij, zemra më thyhet kur lexoj dëshminë e tij e lutem të gjithë të jenë mirë. Pa orvatje teatrale e pa lypur mëshirë, fjalët e tij kumbojnë të vërtetën tonë të trishtë më kthjellët se të gjitha analizat e analistëve, më qartë se të gjitha konferencat e shtypit, më ndershëm se të gjitha reportazhet televizive. Krimi i dhunshëm i Gërdecit, me gjithë forcën e vet shkatërruese dhe zjarrin përvëlues, me fantazmat e të vdekurve dhe plagët e të gjallëve, është i vetmi realitet. Ndalni për një çast, të nderuar lexues, dhe imagjinoni bunkerë që fluturojnë nga shpërthimi dhe bien nga qielli. Kujtoni renë e zezë që errësoi qiellin e marsit dhe mos injoroni humbjen e thellë të atyre që bashkë me tymin i mbushën mushkëritë me hirin e të afërmve të tyre. Le ta dimë që të vdekurit e tyre, janë edhe të vdekurit tanë.


Shpërthimi i Gërdecit nuk ishte një fatkeqësi, ishte një krim. Gërdeci, edhe pse na tronditi, nuk na çuditi. Na tronditi, sepse edhe në makthet më të frikshme nuk kishim imagjinuar dot të tillë makabër, nuk na çuditi sepse çdo njeri me inteligjencën më modeste e di që një i verbër kur vihet për udhërrëfyes, herët apo vonë do t'i hedhë të gjithë në greminë. Nuk u çuditëm, sepse nuk ishte hera e parë që shteti shqiptar, në duart e injorantëve dhe makutëve, shpërthen, shkërmoqet dhe bëhet morti i qytetarëve të vet. U tmerruam por nuk u habitëm, sepse e dinim: Gërdeci ishte si një vullkan aktiv me korrupsion dhe mungesë respekti për jetën e tjetrit, që herët a vonë do villte vdekjen. Gërdeci është prova e fajit të atyre që e kurdisën dhe lejuan dhe provë e gabimeve tona si qytetarë të këtij vendi, ku duket se jeta e njeriut nuk mbart asnjë vlerë numerike në hesapet e tyre të ndyra. Por le t'u tregojmë se jemi të xhindosur në kulm nga pabesia e tyre, e nuk durojmë dot më!


Me gjithë shtirjet, gënjeshtrat, justifikimet dhe shashkat mediatike ne nuk duhet assesi të harrojmë çfarë ndodhi në Gërdec. Ai shpërthim nuk ishte një aksident, por kulmi i dhunshëm i aktivitetit kriminal të një kaste politike pa skrupuj. 26 shqiptarë humbën jetën prej krimit qeveritar, përgjegjësit duhet të përballen me Ligjin, përndryshe, shoqëria jonë ka kapitulluar moralisht, ligjërisht dhe në të gjitha mënyrat e tjera të mundshme. Nëse Drejtësia nuk triumfon, shoqëria shqiptare përballet me dilemën më të vështirë ekzistenciale. Ose ekzistojmë dhe reagojmë, ose nuk reagojmë dhe nuk ekzistojmë, të paktën jo në atë nivel që pretendojmë ne. Në rast se do të lejojmë që përgjegjësitë e Gërdecit të humbin si flluska sapuni, ne do të meritojmë të quhemi dështakë, si qytetarë dhe si njerëz. Në rast se edhe Gërdeci harrohet, d.m.th., që shoqëria jonë është kapur, ashtu sikur "kapet" një vajzë e mitur nga të fortët e lagjes. Nëse se do të heshtim dhe harrojmë Gërdecin atëherë po pranojmë që Shqipëria nuk na përket më ne, por është thjesht fushëbeteja e politikanëve të shkarë.


Në këto kushte, kur një kastë e korruptuar politike bëhet pengesë për zhvillimin normal të vendit, kur një grup njerëzish bëhen kërcënim për normalitetin e jetës sonë lind nevoja e politikës jopolitike, që është zbulimi i shpirtit humanist në të gjithë ne. Nëse e kemi me sinqeritet dhe përgjegjësi kur themi se duam një Demokraci të vërtetë për Shqipërinë, atëherë nuk kemi pse t'i shmangemi përgjegjësisë qytetare për t'u bashkuar në një politikë që nuk është as e vjetër e as e re, por është politikë anti-politike. Po bëhet gjithnjë e më e qartë që politika nuk ka pse të mbetet nën kontrollin e politikanëve profesionistë, që të shumtën e rasteve janë vegla të shitura në dy-tre vende njëherësh. Po bëhet e qartë se politika e sistemit, politika e ngushtë e garantimit të pushtetit duhet të zëvendësohet nga politika anti-politike, politika e njeriut, e qytetarit. Që as nuk shitet dot, as nuk blihet dot, sepse i shërben një interesi më të lartë, e në as një rast nuk do të shtrëngojë duar të përgjakura.


Politika nga poshtë-lart është e mundur. Unë besoj se vetëm dëshmia jonë personale e asaj që duam që ky vend të jetë, mjafton për të vënë në dukje sa kritike është nevoja e shmangies së politikës së sistemit. Vetëm ideali i asaj çfarë duam që ky vend të jetë për fëmijët tanë, është boll të na e bëjë evidente se sa vonë jemi kur ende drejtohemi nga njerëz që të vrasin natën e të qajnë ditën, nga politikanë pa ideal dhe pa orientim moral, që kur thonë jemi të majtë apo të djathtë, e kanë fjalën se nga cila anë flenë natën. Gjithsesi, flenë në të njëjtin shtrat.


Po cila do jetë kjo forcë politike? Si do të përfaqësohen qytetarët në zgjedhjet? Si do t'ua rrëmbejnë përgjithmonë pushtetin politikanëve të Dushkut? Këtu duhet besim, sepse për nga vetë natyra e saj, politika anti-politike ka një efekt që është i vështirë të parashikohet. Politika jopolitike është shpeshherë e dallueshme në ndërgjegjen tonë të përbashkët shoqërore, ne nuk ndjejmë vetëm atë që ndjejmë vetë, por ndjejmë edhe të tjerët që ndihen njësoj si ne. Dhe masa kritike po arrin. Është koha për politikën e Shkëlqimit që shpëtoi për fije në Gërdec. Për kë do të votojmë në 2009? Përpara se të japim atë përgjigje duhet të mendojmë për përgjegjësitë tona si qytetarë. Të kthjellohemi në atë që duam, të udhëhiqemi nga njerëz të denjë, të ndershëm dhe të aftë, që nuk janë të kufizuar në ide brenda kornizave të partisë. Duhet ta ngremë zërin edhe për ata që nuk kanë zë, dhe të pranojmë përgjegjësinë që kemi ndaj njëri-tjetrit për të qenë të guximshëm, dhe të vërtetë.


E kuptoj, që të flasësh për politikën jo-politike mund të ngjajë diçka si ëndërr në diell, apo si idealizëm naiv. E megjithatë unë besoj se është koha për të folur. Është koha për ta bërë të qartë se sa të zhgënjyer dhe të zemëruar jemi për vitet që kemi humbur prej paaftësisë së tyre për të drejtuar vendin. Është kohë e përshtatshme për t'u thënë se nuk i durojmë dot më me egot e tyre të sëmura dhe mungesën e integritetit. Me etjen për pushtet dhe urinë për të vjedhur shtetin. Ka ardhur koha për t'u thënë se do kishim preferuar të ishin të nxehtë ose të ftohtë, por janë të vakët dhe na bëjnë për të vjellë.