Një nga personalitetet më të mëdha të muzikës në Holandë do të performojë në skenën e Akademisë së Arteve
Ritmet e muzikës xhaz kanë disa ditë që kanë startuar në kryeqytet, duke sjellë një atmosferë argëtuese për publikun, i cili i ndjek këto koncerte që janë zhvilluar këto ditë. Kanë qenë të shumta koncertet me muzikë xhaz, që janë zhvilluar këto ditë maji,duke sjellë në Tiranë dhe shumë artistë të njohur botërorë. Ndërkohë që data 25 maj ka rezervuar një tjetër emër të njohur të muzikës blues. Një nga personalitetet më të mëdha të muzikës në Holandë, Marcel Worms do të performojë tinguj të magjishëm të kësaj rryme muzikore në skenën shqiptare.
New blues for piano titullohet koncerti që do të zhvillohet në Akademinë e Arteve, në datën 25 maj. Në repertorin e këtij koncerti janë përfshirë pjesë të njohura dhe që janë interpretuar me sukses në skenat botërore. Artisti i cili vjen nga Holanda ka një aktivitet të larmishëm muzikor në shumë skena të botës, duke u renditur ndër emrat më të njohur të kësaj rryme muzikore. Me këtë koncert që do të zhvillohet në datën 25 maj në Akademinë e Arteve, publiku shqiptar do të provojë të tjera emocione, të cilat kësaj here do të vijnë nga artisti Holandez Worms. Duket se muzika xhaz edhe blues ka hyrë së tepërmi në jetën artistike të kryeqytetit. Kështu disa ditë më parë, nga data 12 deri në 16 maj u zhvillua një festival i veçantë Tirana Jazz Festival, në të cilin interpretuan disa nga emrat më të njohur botërorë të xhazit. Edhe këtë vit ky festival erdhi me të njëjtën filozofi më të cilën edhe ka nisur, të promovojë xhazin individual, tradicional, kreativ, modern dhe bashkëkohor, por edhe ti kushtojë vëmendje xhazit standard. Gjithashtu tre ditë më parë është zhvillua për herë të parë në vendin tonë, një tjetër koncert i veçantë me tinguj të muzikës blues, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë. Katër nga grupet më të njohur në botë në këtë zhanër interpretuan për publikun shqiptar, muzikën e tyre legjendare. Me anë të këtij koncerti erdhi për herë të parë në Tiranë, grupi i njohur anglez që luan dhe krijon muzikë blues qysh prej viteve 60 The Animals, kitaristi dhe këngëtari i muzikës blues, që ka thyer rekorde me mbi 50 albume, Louisiana Red, banda e Dr. Feelgood që prej vitit 1971 performojnë muzikë nga Anglia e në gjithë botën, si dhe amerikani Lance Lopez. Ndërkohë që artisti holandez Marcel Worms është angazhuar prej disa vitesh në një repertor klasik-modern të influencuar nga xhazi. Prej pozicionit që ka blues në xhaz, ai e gjeti tërheqëse idenë të komisionojë shumë kompozitorë holandezë për të shkruar pjesë blues. Seria e parë e këtyre veprave ka qenë gati në fund të vitit 1996 dhe është performuar premierë në Bimhouse, skena kryesore e xhazit, Picasso and the Music of his Century, Via Records, në Amsterdam. Pas kësaj premiere, kompozitorë nga vendet ku performonte Marcel u ftuan të kontribuojnë në projekt. Aktualisht 170 pjesë të reja blues nga 50 vende të ndryshme (Channel Classics) janë përfunduar dhe ky numër është gjithnjë në rritje. Nga këto pjesë, mund të marrim idenë se ç'kuptim ka blues për një kompozitor bashkëkohor. Ndërsa krahasojmë blues të kompozuara nga kompozitorë prej vendesh të ndryshme, mjedise te ndryshme kulturore janë shpesh të dallueshme qartësisht. Një përzgjedhje nga repertori i ''New Spanning the Globe Blues'' mund të dëgjohet në këtë koncert. Kompozitorët kanë qenë të lirë të përdorin ose jo elementet e blues, si notat blu, disa seri akordesh, etj. Pjesa më e madhe e veprave janë tërësisht të kompozuara ndërsa në disa prej tyre i lihet diku edhe mundësi improvizimi performuesit. Koncerti i datës 25 maj do të jetë një tjetër performancë muzikore, e cila do të sjelli argëtim për publikun e kryeqytetit.
Të dhëna mbi artistin Â
Marcel Worms (1951) ka studiuar në Konservatorin Sweelinck në Amsterdam me Hans Dercksen. Ai gjithashtu mori mësime me profesorin Youri Egorov dhe me Alicia de Larrocha. Pas provimit të tij final, më 1987, ai është specializuar në studimin e muzikës se dhomës me Hans Broekman dhe në muzikën e shekullit te 20-te për piano me Aleksandër Hrisanide. Marcel Worms është aktiv si një muzikant i muzikës së dhomës dhe si solist: në fillim e 1990 ai luajti në premierë vepra të hershme të Schonberg në një recital në IJsbreker dhe në 1991 ai performoi veprën e plotë për piano të Janacek. Prej sezonit 1992/3, ai performoi programin ''Influenca të Jazz-it në muzikën për piano të shekullit të 20-të'' në skenat Holandeze. Në 1994, ky program u realizua në CD nga ''BVHaast Label''. Me ''Groupe de Sept'' që ai formoi, Marcel Worms performoi ndër të tjera veprën e plotë të Poulenc për piano dhe instrumente fryme. Ky program u realizua në CD nga ''Emergo Classics''. Më 1994, viti memorial i Mondrian, Marcel Worms performoi programin ''Mondrian dhe muzika e kohës së tij''. Kompozitorët Willem Breuker dhe Theo Loevendie shkruajtën një kompozim për këtë projekt. Ai e performoi këtë program në Holandë, në disa vende Evropiane, në Rusi (Hermitage St. Petersburg, Pushkin Museum Moscow) dhe në Shtetet e Bashkuara (përfshirë edhe ''National Gallery of Art, Washington D.C.''). Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Jean Wiéner, ai performoi një program dedikuar tërësisht muzikës për piano të këtij kompozitori francez në Holandë dhe Francë; BVHAAST publikoi këtë CD më 1996. Qysh prej 1996, Marcel Worms është duke punuar në një projekt blues-i: rreth 160 kompozitorë holandezë dhe të huaj (nga 50 vende prej të 5-të kontinenteve) shkruajtën për këtë projekt. Ky projekt ka dalë tashmë edhe në 4 CD. Ndërmjet 1998 dhe 2008, Marcel Worms ka performuar këtë program në disa vende Evropiane, në Kinë, Indonezi, Rusi, Lindje e Mesme, Lindje e Largët, Shtetet e Bashkuara, Afrikë, Amerikë e Jugut dhe Kubë. Më 1999 ai luajti në ''North Sea Jazz Festival'' ne Hagë. Më 2001 ai performoi në ''Festival for New Music'' në Bukuresht dhe në ''Warschauer Herbst'' në Varshavë, dhe në 2002 në ''EU Jazz Festival'' në Mexico City dhe në Audio Art Festival në Krakovë. Në 2004 ky program u performua në festivalin ''De la Musica Contemporanea'' në Bolivi, në ''Forum Neuer Musik'' në Këln, në ''Festival of Aveiro'' (Portugali) dhe në ''Fajr Festival'' në Iran. Më 2005 Marcel Ëorms e prezantoi projektin e tij blues në festivalin Tblisi Autumn'' në Gjeorgji. Me flautisten Eleonore Pameijer ai ndërmori projektin ''6 Kontinentet''; kompozitorë nga 6 kontinentet shkruajtën pjesë në të cilat shprehet mjedisi i tyre kulturor. Ai performoi në koncert me Eleonore Pameijer në Shtetet e Bashkuara, në Ballkan, Izrael, Palestinë, Amerikë e Jugut dhe Indi. Projekti ''6 Kontinentet'' u publikua në CD me 2006 me rastin e 60-vjetorit të lindjes së UNESCO-s.
Â
Last Updated on Wednesday, 20 May 2009 14:24