Telashe dhe në La Liga për Barcelonën. Neymar një ndër më të kritikuarit në disfatën e pësuar nga Juventusi, me mediat spanjolle që e etiketuan brazilianin si një fantazëm në fushë, u pezulluar për 3 ndeshje.


Kartoni i parë i kuq i Neymar me fanellën e Barcelonës me të cilën ka luajtur 179 ndeshje, i kushton vërtet shtrenjtë pasi me 3 ndeshjet e pezullimit braziliani humbet El Clasicon me Realin në Bernabeu që është në program pas dy javësh.


Gjykatësi sportiv e dënoi Neymar me një ndeshje pezullim për ndëshkimin me dy kartona të verdhë dhe dy të tjera për sjelljen aspak sportive në drejtim të trupës së gjyqtarëve pasi kishte marë kartonin e kuq, me duartrokitje ironike e ndonjë fjalë më tepër, sjellje kjo që kishte përfunduar në raportin e arbitrit Gil Manzano.


Pezullimi i Neymar pritet të gjenerojë jo pak polemika duke qenë se braziliani është një ndër lojtarët që pëson më shumë faulle në kampionatin spanjoll. Më shumë se sa për dy kartonat e verdhë Neymar duket se paguan duatrokitjen ironike dhe ofendimet në drejtim të arbitrave, të njëjtin fat pati dhe Lionel Messi në kombëtare ku u ndëshkua me 4 ndeshje pezullim.


12 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)