Nga Artan Fuga/ Padyshim që si zonjë ka mirësjelljen time. Aq më shumë se kam bindjen që as për ligjin për arsimin e lartë dhe as për veprime ose mosveprime thelbësore dikasteriale nuk është ajo përgjegjëse në kuptimin se nuk besoj që është vullneti i saj sovran që ka vendosur për këtë apo atë çështje thelbësore. Ka qenë gjithashtu e rrethuar nga këshilltarë që e shihnin me ndjenja superioriteti, krejt kot, si edhe nga batakçinj në horizonte jashtë institucionit që dinë ta bëjnë presionin pa t’u ndarë as natë e as ditë. Zamkë!


Por, si kudo, kushdo që merr një detyrë publike në fund duhet të dëgjojë jo vetëm bilancin që i bën vetes, por edhe zërat që mendojnë ndryshe.


Bilanci i arsimit shqiptar në këto katër vjet është beter.


Asnjë hap më tej madje përkeqësim. Katër vjet që mund të përmirësonin shumë gjëra.


Zonja Nikolla drejtonte edhe komisionin e akordimit të gradave dhe titujve. Ishte kryetare e tij. Do të kishte qenë në nderin e saj që në kuadrin e “reformave” të kishte kërkuar që të mos e drejtonte më atë komision ministri, sepse dikush që jo për faj e as për zgjedhje të saj nuk ka asnjë titull shkencor, nuk mund të shqyrtojë dhënien e titujve dhe gradave në instancën përfundimtare. Në parim çfarë dreqin do ministri i arësimit dhe i shkencës të drejtojë komisionin e kualifikimit dhe titujve! Pse politika merr vendim për titujt shkencorë!


E them këtë sepse edhe sot e kësaj dite qeveria dhe dikasteri nuk arritën t’i përpunonin ato kritere që masin arritjet shkencore të gjithkujt që kërkon një gradë dhe një titull. Mendoni se jo, nuk kam të drejtë!?


Atëhere më thoni ju lutem se në këto dhjetra e dhjetra tituj profesorësh e profesorësh të asociuar që jepen me lopata dhe buldozera sa ka qenë kontributi i i tyre në formësimin e GDP në Shqipëri, çfarë ndikimi kanë pasur mbi zhvillimin e vendit?


Ka një bilanc? – të na i thotë!


Në vend të masim arritjet në shkencë na kanë lënë të masim aftësitë komunikative dhe botuese të atyre që kërkojnë dhe marrin titujt.


Besoj se dihet nga ministria që edhe sot e kësaj dite doktoraturat kalojnë nga këshillat e profesorëve të fakulteteve, të cilat sipas ligjit në fuqi janë shkrirë.


I shkriu të gjitha instancat dhe të drejtat profesorale kjo kohë e mbrapshtë. Do të lidhet kjo dërmë me emrin e zonjës. Më vjen keq !


Në bordet administrative të universiteteve publike na kanë ardhur militantë politikë dhe burokratë zyrash zoti Rama!


Ja u them sepse kam dëgjuar që tani po “sulmoni shtabet”, pra nëpunësit e partive nëpër dikasteret “tepsi”. Ata na kanë ardhur edhe për të përfaqësuar ministrinë në bordet e administrimit, pikërisht në emër të autonomisë që predikojnë apologjetët e ligjit masakër të arsimit të lartë!


As në kohën e monizmit, nënkryetarit të komitetit ekzekutiv të Tiranës, apo drejtorit të kuadrit të ministrisë të arsimit nuk do t’i kishte vajtur mendja aq larg sa të ëndërronte të merrte pjesë në drejtimin financiar të universitetit të Tiranës.


Po ta kishin shprehur këtë ambicie me siguri edhe atëhere do t’i kishin internuar!


Doktoratura që mbrohen në këshilla profesorësh që ligja i ka shkrirë!


Në një farë kuptimi këto doktoratura që nuk mbrohen sipas ligjit, janë në mos të paligjshme, të jashtëligjshme, ose të anashligjshme. Cfarë kusuri kanë doktorantët e gjorë! Cfarë kusuri kemi ne profesorët që të mblidhemi në instanca të paligjshme!


Vetëm nga bllokimi i shkollave doktorale në universiteteve publike, këtyre të fundit në këto katër vite u janë shkaktuar qindra milionë lekë dëme. Kush mban përgjegjësi për to?


Nëse nuk i ka mbyllur vetë ministrja, si është e mundur që ministrja nuk ndërhyri për të bërë të mundur funksionimin e një cikli të shkollës shqiptare? A e ndjen përgjegjësinë e mosveprimit? Po sikur drejtori i një shkolle t’i tekej të mbyllte atë shkollë, sehir do të bënte ministria!


Kërkimi shkencor në planin institucional në ditë të hallit, në ditën më të zezë të tij. Këtu fajin nuk e ka edhe aq zonja Nikolla sepse drejtonte një dikaster lesheli, pra që niste me kopshtet, me shkollat 9 – vjeçare, me maturën, me arsimin e lartë, me kërkimin shkencor albanologjik, si edhe me sportin, boksin, shahun, ciklizmin, skermën,ngritjen e peshave e kështu e më tutje.


Qendra e studimeve albanologjike nuk dihet se mbi çfarë ligji vepron. Ka mbetur në ajër sepse për katër vite nuk u gjet zotësia për ta vendosur në binarë si agjenci që varej direkt nga ministria.


Madje nuk dihet se kanë ose jo mandat drejtuesit e saj. Ministria nuk ishte në gjendje të jepte asaj një kuadër ligjor, të bënte një bilanc publik të saj, madje edhe të nxirrte publikisht përgjegjësitë e degradimit të kushteve të punës së saj.


I hyri një reforme të kërkimit shkencor duke përfshirë edhe akademinë e shkencave. Komisione pas komisionesh, mblidhu dhe zgjidhu me muaj e vite dhe në fund, bilanci bie si tullë mbi kokë : Ne nuk kemi një kuadër institucional dhe ligjor të kërkimit shkencor. As sot e kësaj dite. Dështim total.


Akademia e Shkencave në ujra të turbullta, Qendra albanologjike shqiptare e fundosur, institutet e kërkimit shkencor të paralizuara.


Mendjes shqiptare i kanë vendosur kyçin!


Mendjes shqiptare i ka ikur truri!


Matura shtetrore dhe përzgjedhja e studimeve universitare nga maturantët gjoja duhet të bëhej nga të rinjtë sipas kritereve të meritë – preferencës.


Ende nuk kam gjetur më shumë se gishtat e dy duarve studentë që të pohojnë se kanë ardhur për të studjuar në ato degë që kanë preferuar.


Ka kërkuar për t’u bërë mami, dhe vjen në gazetari! Nuk e besoni! A bëtë një sondazh me studentët e viteve të para për të parë sesa përputhen ëndërat e tyre me mundësitë që u dha sistemi?


Cfarë thua! Ik ore tutje!


Në vend që studentët të shkojnë të rregjistrohen vetë në universitetet që duan, i detyrojnë të futen në një sistem të Big Brotherit ku është burokracia shtetrore që i shpërndan në universitete. Kuptimi? Ka vetëm një. Administrata dëshiron t’u thotë prindërve dhe vetë të rinjve : Mos kujtoni se jeni të lirë, jo, jo, jemi ne një përcaktojmë fatin tuaj!


Autoritarizmi i ngjan kohës moniste ku komiteti ekzekutiv bënte ligjin mbi fatet tona, studentëve të asaj kohe!


Një marrëzi dhe degradim i kushtueshëm sa qimet e kokës procesi i gjoja akreditimit.


Agjencia e huaj u pagua me verdhushka gati, por ne nuk morëm vesh se cfarë u mat, cfarë u vlerësua, me cfarë kiriteresh?


Minimumi duhen vlerësuar leksionet në auditore. Po kush e bëri se?


Për këtë minimumi duhet të dish shqip.


Duhen vlerësuar tekstet! Po kush ta bënte se?


Së paku duhet të dish shqip.


Duhen vlerësuar rezultatet në kërkimin shkencor. Por, së paku duhet të njihet impakti i tyre mbi ekonominë dhe shoqërinë e kulturën shqiptare. Po kush ta bëjë se? Akreditimi u bë sipas metodës rrufe : Erdha, pashë, ika!


Integrimi i arsimit shqiptar në hapësirën europiane për faqe të zezë.


Pothuajse nuk ka studentë shqiptarë që të përfitojnë në masë nga bursa erazmus, instalime shkollash të larta në terrenin shqiptar as që nuk mund të imagjinohet.


Bujë e bujë për gjoja edukimin fetar në shkolla. Nuk dihet çfarë u bë ai projekt. Ku u aplikua, si doli, ku janë tekstet, ku u specilaizuan mësuesit, cila është përshtypja e nxënësve dhe e prindërve! Asgjë!


Vetëm fjalë!


Shkolla shqiptare është dhe ka mbetur në kohën e dërrasës dhe tebeshirit.


Pajisja e klasave me rrjet Interneti, kompjuterizimi i mësimdhënies, mësimi i hapur në teknologjinë e informimit dhe komunikimit duken si një vegim i largët i shekujve që do të vijnë.


Një mik i ndershëm më thotë se në shkollën ku ai punon ka vetëm dy kompjutera. Njerin e ka drejtoresha, tjetrin nëndrejtori.


Por, cfarë bëjnë me to? – e pyes.


Hiç o burrë, luajnë me letra, shtijnë falll! – dhe qeshte me çiltërsi!


Mësuesit e kanë të pamundur të orientohen në dijen e Internetit ku lëvrin sot sistemi i dijeve bashkëkohore.


Nuk dihet se çfarë kriteresh arkaike aplikohen për të matur punën e mësueve. Tekstet kanë një aparat pedagogjik sikur ende të mos ishte shpikur as webi, as Interneti, as youtube, as aplikacionet multimediale.


Përgjegjësit atje lart krenohen se nxënësit mësojnë sot me tekste të shkollave europiane!!!


A keni bërë olimpiada për të matur cilësinë e dijeve? Me çfarë e masim ne cilësinë e formimit të nxënësve?


A e dini nivelin e dijen e nxënësve që vijnë në bangat universitare? Shkolla u hyn në hak atyre sepse i le pa dijet më elementare sidomos në shkencat e reja. Hajde bëjmë një testim në filozofi, ekonomi, gjuhë të huaja, informatikë, etj., dhe do të shihni se ku jemi.


Kabinete gjuhësh të huaja në shkollat e mesme? Nuk dua të merremi me këtë ëndërr.


Te drejtat e gjimnazistave dhe studentëve për tokë.


E përse studenti të mos ketë të drejtë të rregjistrohet në më shumë sesa një profil studimesh? Janë mundësitë, madje është e domosdoshme. Pse të mos ketë të drejtë të rregjistrohet te pedagogu i lëndës që i duket më i mirë dhe të mos mbyllet brenda kështjellës të një fakulteti?


As nuk ka bërë një studim ministria se cila është papunësia intelektuale midis të diplomuarve. Sa është masa e të diplomuarve që punësohen në degët për të cilat janë diplomuar? Sa prej të diplomuarve ikin në emigrim? Sa prej tyre nuk kthehen më në qytetet e vendilindjes, etj.


As nuk flitet për një metodologji që do t’u jepte shkollave prirjet e


tregut të punës në dekadën e ardhshme.


Studimet prospektive duken sikur janë ufo.


Në thoni të kundërtën, na i jepni, pra! Përse merrni rrogat nga taksat tona?


A po, mbylli disa të ashtuquajtura universitete! Nuk dihet motivi veçse. Disa thonë se kështu u hoqi qafe konkurrentët disave që mbetën. Unë nuk e besoj këtë. Por, si pasojë kolaterale këtë pati sepse ajo mbyllje nuk solli asnjë ngritje cilësore të arsimit shqiptar.


Në e pati, si nuk na e la në një bilanc të shkruar dhe të matshëm ministria?


Në vend të kësaj na la një takim “koreanoverior” me mësues të trembur, të thirrur në mbledhje në pallatin e kongresve ku u kërkoi atyre pak ditë para marrëveshjes së majit Basha – Rama që të mos e linin vetëm në fushatë që po afronte!


Pra i ftoi mësuesit të bënin fushatë për të dhe partinë që i përket!


Sa keq! Sa keq!