Disa futbollistë të përfaqësueses tonë po bëjnë një gabim të madh. I shohim të përfshirë në spote publicitare në mbështetje të Partisë Socialiste.


Qartazi ata janë të keqpërdorur në këtë rast nga Edi Rama. Me para, apo me forma të tjera, ai po i shtyn drejt një shpërfytyrimi të madh, me dëm në radhë të parë për imazhin e tyre, por edhe të ekipit tonë përfaqësues.


Vështirë të mendohet se Armando Sadiku apo të tjerët nuk e dinë se një veprim i tillë është i palejueshëm. Ata luajnë dhe jetojnë në vende të Europës Perëndimore.


Kur kanë parë ata ndonjë futbollist të ekipit përfaqësues të përfshihet në fushata të tilla partiake, duke vënë imazhin e tij në shërbim të një force politike?



Si qytetarë shqiptarë, ata sigurisht që kanë gjithë lirinë të vendosin në dhomën e fshehtë se kujt ia japin votën.


Por, si pjestarë të ekipit kombëtar, ata veç të tjerash përfaqësojnë gjithë kombin, të bashkuar rreth himnit kombëtar, që këndohet para ndeshjeve të tyre.


Rrjedhimisht, është më shumë se turp që ata po e lejojnë veten të shpërdorohen nga një parti, e cila në asnjë rast nuk përfaqëson as gjysmën e kombit. Eshtë mirëfillimi veprim përçarës ndaj tifozëve dhe gjithë dashamirësve.


Federata Shqiptare e Futbollit e ka për detyrë të ndërhyjë menjëherë për ta ndërprerë këtë poshtërsi. Natyrisht, kjo federatë mund të ndërhyjë në rast se nuk është vetë kursdisëse e pazarit.