ARISTIR LUMEZI/ Paralajmërimi amerikan për mosprekjen e Reformës në Drejtësi e gjen burimin nga shqetësimi i shprehur herët nga politikanët shqiptarë.


fatmir-xhafaj-700x409


Ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj, nga salla e Kuvendit shprehu, dy muaj më parë, shqetësimin se për shkak të moszbatimit të ligjit, po kërkohet të amendohen ligje të veçanta të reformës.


“Konstatohet një përpjekje për të ndryshuar paksa me lehtësi ligjet e Reformës në Drejtësi. Natyrisht nuk ka tabu për këtë, sepse siç dihet, nuk ka një ligj perfekt, ashtu siç nuk ka edhe një ligj çudibërës. Për më tepër, ne sot nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i drejtë dhe proaktiv i tyre. Shihni rastin konkret. Kjo dispozitë, neni 152, është ndryshuar në korrik të vitit që shkoi dhe sot vjen përsëri për amendim. Kur ndryshojmë ligjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi druaj që shpeshherë, problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i kapërcejmë me zgjidhjen më të lehtë, amendimin e ligjit. Jo rrallë gjendemi edhe nën presionin e institucioneve ligjzbatuese, që e shohin këtë si një lloj komoditeti për punën e tyre. Mendoj se kjo është një qasje e gabuar”, është shprehur Xhafaj në fjalën e tij në Kuvend, në muajin shkurt.


yuri kim


Ambasadorja amerikane Yuri Kim foli dy ditë më parë për mundësinë e një marrëveshjeje kundër Reformës në Drejtësi.


“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë Reformën në Drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, u shpreh ambasadorja Kim.


GJYKATAT


Përveç Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të cilat janë në pritje të plotësimit të tyre me anëtarët e rinj, sistemi i ri i drejtësisë duket se ka hyrë në rrugën e funksionimit. Nëse nuk do të kishim bllokimin disamujor të shqyrtimit dhe renditjes së kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese, kjo gjykatë do të ishte sot në funksion të plotë. Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që në shtator 2019, 7 kandidaturat e tij për zëvendësimin e gjyqtarit Fatos Lulos në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, edhe Presidenti i Republikës ka dërguar kandidaturat e tij për zëvendësuesit e Besnik Muçit dhe Besnik Ymerit.


Por ende, kreu i KED-së, Ardian Dvorani nuk i është përgjigjur Kuvendit me listën e kandidatëve, të cilët duhet të votohen. E njëjta histori edhe me Gjykatën e Lartë dhe anëtarin e katërt të saj, i cili do të zëvendësojë vetë Dvoranin.


SHKARKIMET


Shkarkimi i Luan Dacit si gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi gënjeu për të kaluarën e tij, ka sjellë një goditje të rëndë për sistemin e ri të drejtësisë. Burime pranë SPAK-ut, thanë për gazetën “Panorama” se pritet edhe një tjetër shkarkim nga radhët e gjyqësorit të ri. Një gjyqtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili numëron me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë të larguar nga radhët e drejtësisë, do të shkarkohet për shkak të falsifikimit të dokumenteve.


Luan-Daci-550x400


Mësohet se në dokumentacionin e tij, ky gjyqtar nuk ka deklaruar shkarkimin për shkelje të ligjit 25 vjet më parë. Por këto shkarkime rrëzojnë të gjithë besueshmërinë e sistemit të ri të drejtësisë, pasi vendimmarrja e këtyre gjyqtarëve që larguan nga sistemi i drejtësisë me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, është lehtësisht e ankimueshme për ta cilësuar të pavlefshme.


E ndërsa institucionet e reja të drejtësisë, si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, punojnë ngadalë me listat e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ambasada amerikane, e cila e mbështet pa rezervë Reformën në Drejtësi, punon me intensitet të lartë me agjencitë amerikane për rekrutimin e personelit ndihmës në Gjykata.


Në faqen e saj në “Facebook”, ambasada amerikane publikon thirrjen e USAiD-it. “Keni diplomë në drejtësi dhe përvojë profesionale jo më pak se dy vjet në: sistemin gjyqësor ose prokurori, në një pozicion juristi në administratën publike, në një nga profesionet e lira të ligjit, në profesionin e avokatit ose ndonjë pozicion tjetër ekuivalent në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare?


dvorani


Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit nënshkruar së fundmi ndërmjet USAID-it dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, programi i USAID “Drejtësi për të Gjithë” ka hapur aplikimet për të qenë pjesë e Ekipit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura. Ju keni mundësinë të jeni pjesë të një ekipi të veçantë juristësh të zotë shqiptarë, të cilët do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.


PANORAMA