Nga Dritan Hila/ Edhe sot si shumë herë të tjera, kryeministri Rama nuk ka munguar të akuzojë nga Elbasani opozitën se është frenuesja e vetingut dhe reformës në drejtësi. Madje për ta bërë më të kuptueshme për studentët e auditorit që me siguri as ja kanë haberin se çfarë po ndodh në Rumani, cilat janë palët dhe cilat kërkesat, shtoi se rasti ynë është e kundërta e atij të ballkanasve që kanë mbushur sheshet, pasi këtu është pikërisht qeveria që po kërkon reformën.


Kërkesa shtesë e opozitës që përveç qeverisë teknike vendosi edhe kushtin e rikthimit të ligjeve të vetingut, ndihmuan propagandën e Ramës. Ishte autogol i Bashës. Por ajo që nuk shkon është dëshira e të dyja palëve për të marrë përsipër rolin e armikut të korrupsionit dhe të ngjasojnë me protestuesit rumun.


Ajo që ndodhi në Rumani është një lëvizje qytetare e cila drejtohet kundër të gjithë klasës politike. Pavarësisht përpjekjeve të PD-së për të bërë paralelizime mes Bukureshtit dhe Tiranës, kjo nuk ka lidhje. Nuk ka lidhje shtresa sociale që proteston, pasi në Rumani janë intelektualët dhe të shkolluarit, pjesa urbane e vendit që protestojnë, ndërsa këtu janë militantët e turnit të çadrës që shpresojnë të rikthehen në vendet nga ikën. Në rrugët e Bukureshtit nuk janë fytyrat e ministrave dhe as kryeministrat, pasi një pjesë janë në burg ndërsa të tjerët presin procesin; ndërsa në Tiranë të njëjtat fytyra që e bënë të neveritshme qeverisjen 8 vjeçare të PD për arrogancën, makutërinë dhe krimin, sot i shikon poshte çadrës. Nëse opozita shqiptare pas 3 vjetëve gjumë u kujtua të dilte në rrugë me kërkesa maksimaliste, në Bukuresht turma është vigjilente çdo ditë ndaj veprimeve të qeverisë e cila po tenton të amnistojë të dënuarit e korrupsionit.


Por kostumin e protestuesve rumunë nuk mund ta veshë as Rama dhe dishepujt e tij. Vetë Rama është një politikan i cili ka 18 vjet në pushtet, vite të cilat janë të përfolura për korrupsion, klientelizëm dhe favorizime të oborrit të tij. Katër vitet e fundit ishin qershia mbi tortë e gjithë dyshimeve. Ai është pjesë e të gjithë pisllëkut të këtij tranzicioni, që nga marrëveshjet e pamoralshme e deri tek trafiqet apo shoqëritë e dyshimta. Asnjë prokuror i paanshëm i pas vetingut nuk do hezitonte të fuste nën lupën e hetimit gjithë aktivitetin e Edi Ramës.


E vetmja shpresë e tij është që vala e goditjes të vijë e dyta. Deri atëherë i intereson marrja e një manteli që nuk e ka pasur kurrë, atë të ndershmërisë, me shpresë që kjo do ta ndihmojë të fitojë zgjedhjet e vitit 2017. Ndërkohë nëse nuk do të mundet të fusë njerëzit e tij në rradhët e drejtësisë, do ta shtyjë me shpresën se ose do të jetë kënaqur pritshmëria e publikut me viktimat e ligjit, ose diçka ka për të ndryshuar. Por e vetmja gjë e cila nuk i shkon Ramës, është të krahasojë veten me rumunët. Nuk ka qenë kurrë njeri i parimeve apo revolucioneve, por i pazareve dhe i kulisave.


Ndaj le të vazhdojë me kostumet e tij Brion dhe ta harrojë Rumaninë. Nëse më mirë se një opozitë të paaftë si kjo e PD është të mos kesh opozitë fare; në rastin e Ramës më mirë mos kesh drejtësi fare sesa të bjerë në dorën e tij. Sepse të dyja rastet djegin kauzat, fashisin zemërimin civil edhe zhgënjejnë shpresën e njerëzve se mund të vijë ndryshimi./dritare.net