Elton Metaj/ Procesi zgjedhor i 25 qershorit u mbyll me një rezultat të qartë, duke i dhënë fitoren Partisë Socialiste, por duke dërguar edhe disa mesazhe po kaq të qartë. Ajo që bie në sy, krahas abstenimit masiv, është numri i shtuar i votave që nuk u dhanë për asnjë parti. Këta votues të veçantë sfiduan edhe temperaturat e larta, edhe festën fetare, për tu bërë pjesë e procesit, duke respektuar një detyrim moral e politik. Në shkallë vendi rreth 32 mijë qytetarë shkuan në kutinë e votimit dhe e shprehën vullnetin e tyre për asnjë nga partitë në garë. Ky numër rezulton të jetë rreth 8 mijë vota më tepër se në vitin 2013, ndonëse këtë herë mundësia për të gabuar teknikisht me votën, duke e bërë të pavlefshme, ishte më e vogël. Fleta e votimit kishte vetëm 18 subjekte, në ndryshim nga viti 2013, ku duhej të sorrollateshe mes 66 siglave e emrave për të gjetur liderin që preferoje. E për rrjedhojë, në vitin 2013 zgjedhësi ishte shumë më pranë mundësisë për të gabuar. Këtë herë, jo. Pra, në një masë të konsiderueshme, në zgjedhjet e 25 qershorit, ajo që ligjërisht klasifikohet si votë e pavlefshme, është në pjesën më të madhe një votë kundër. Këtë e dëshmojnë edhe dhjetra fletë votimi të fotografuara dhe të publikuara në rrjetet sociale, pavarësisht se një gjë e tillë renditet si krim elektoral.


Në mënyrë specifike duket se vota kundër, e mbështetur edhe nga një fushatë e Aleancës Popullore dhe disa përfaqësuesve të shoqërisë civile, ka patur efekt te dy personazhe të rëndësishëm politikë. Shpëtim Idrizi dhe Ben Blushi do të jenë jashtë Kuvendit të ardhshëm, ndonëse ishin shumë pranë sigurimit të mandatit të deputetit në qarkun e Tiranës.


Pikërisht në qarkun më të madh në vend, ku garonin Idrizi e Blushi, numri i votave për askënd në garë, ishte mbi 8 mijë. Idrizi e ndali vrullin e tij në kuotën 12.347 vota, duke qenë vetëm 0.02 % nën pragun e kërkuar nga ligji. Pra do ti mjaftonin rreth 100 vota më tepër për të gëzuar sot, bashkë me kolegët e tjerë të Partisë për Drejtësi, Integrim e Unitet. Si për ironi të fatit apo në një kombinacion perfekt hakmarrës, votat kundër në këto zgjedhje i dëshironte një parti tjetër, që përfaqëson komunitetin çam, si Aleanca Popullore, e cila katër vite të shkuar firmosi një marrëveshje paraelektorale me kryetarin e PS-së, Edi Rama.


Shumë gjëra ndryshuan me ardhjen në pushtet të Ramës dhe Idrizi, i zgjedhur deputet në siglën e Partisë Demokratike, e pa veten në bashkëqeverisje me socialistët dhe deri nënkryetar të Kuvendit, duke tundur flamurin e çështjes çame dhe më tej akoma, çështjes kombëtare. Kjo tundje merr fund me rezultatin e Tiranës, ku sabotatorët ndoshta nuk janë vetëm në partinë rivale të Artur Dojakës.


Gjithashtu, i penalizuar nga vota kundër në zgjedhjet e 25 qershorit rezulton edhe Ben Blushi me krijesën e tij interesante LIBRA. Ata siguruan në Tiranë 9.535 mbështetës, duke mbetur 3 mijë vota nën kalimin e pragut që e ridërgonte në Kuvend ish-ministrin socialist. Për ta bërë këtë, do të mjaftonin më pak se gjysma e votave të hedhura për askënd.


Pa patur strukturën organizative të partisë së Idrizit e rivalëve të tjerë dhe pa mundësitë për shpenzime të ndjeshme, Blushi mori sidoqoftë shpërblimin e tij moral me 20 mijë votat kombëtare për një parti ende në vitin e parë të jetës.


Në këtë mënyrë, vota kundër, e koordinuar ose jo, duket se e dha efektin e saj të parë. Ajo u vuri kryqin aspiratave për të mbërritur në Kuvend të Shpëtim Idrizit dhe ndoshta edhe të Ben Blushit.


Sikur vetëm gjysma e atyre që votuan për askënd të zgjidhnin shtëpinë apo plazhin më 25 qershor, të paktën Shpëtim Idrizi do të ishte duke folur për fitore dhe për çështjen kombëtare. Tashmë duhet menduar një alternativë tjetër për të bërë politikë nga jashtë Kuvendit.