Kryeministri Edi Rama ka arritur të shmang bojkotin e zgjedhjeve nga opozita, me një Marrëveshje të guximshme, që synon ngjalljen e besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme me lëshime thelbësore. Marrveshja hap rrugë të krijohet një administratë teknike gjatë procesit zgjedhor, e cila është në besimin e opozitës dhe riformaton gjashtë postet kyçe të qeverisë, me ministra teknik, të cilët kanë besimin e të dy palëve.


Marrëveshja është një akt i paprecedent, që një qeveri në pushtet ka bërë për opozitën, këto 27 vjet në Shqipëri, duke shmangur një krizë afatgjatë të demokracisë në vend.


Marrëveshja realisht ka plot elementë të paketës McAllister, por është zhvilluar si një marrëveshje autentike Rama-Basha, në të cilën Partia Socialiste bën një sakrificë reale nga pushteti i saj, për të krijuar një klimë besimi për zgjedhjet.


Dy ministri të cilat kanë sukses real, ajo e Brendshme dhe ajo e Financave, do qeverisen nga ministra teknik, në shenjë besimi për opozitën, por dhe një kosto reale për Edi Ramën. Fatmir Xhafa ka pasur një bilanc mbreslënës dy mujor si ministër, ndërsa financat shqiptare janë më të stabilizuarat e dhjetë viteve të fundit. Pamvarëisht kësaj ndryshimet nuk kanë për të prekur thelbin e punës së tyre.


Lëshimet e tjera të Edi Ramës janë teknike, dhe synojnë një menaxhim teknik të agjensive të mëdha shtetërore, të cilat shpesh përdoren si burim financimi jo ligjor për fushatat elektorale, sic janë burgjet, Aluzini, AZHBR, etj.


Ajo që fiton Edi Rama është garancia e një procesi zgjedhor normal me opozitën, korrektësia me faktorin ndërkombëtar të cilin e pati në krah në çdo moment, dhe krijimi i një klime për garë reale për secilën parti.


Lulzim Basha edhe pse po kryqëzohet si humbës i madh nuk ka fituar pak. Ai natyrisht ka humbur Republikën e Re, por atë nuk e kishte njeri seriozisht. Nëse e shikon me syrin e tyre, natyrisht duket sikur Rama i ka dhënë të pijë ujë në shoshë, siç thuhet në këto raste. Por kjo nuk ishte një Marrëveshje për ndonjë Republikë të Re.


Në të vërtet Basha ka fituar atë që i ofruan kritikët e tij brenda partisë tre javë më parë, kur McAllister paraqiti paketën e tij.


Nëse do ta kishte pranuar atëhere, natyrisht do fitonte më shumë se kaq. Tani ka humbur presidentin, dhe avantazhin kohor, që do ti jepte marrëveshja në kohë.


Nga pikpamja personale, ai ka fituar më shumë se PD. Ai ka fituar në personalitetin e tij si kryetar real i Partisë Demokratike, pasi është faktorizuar duke u marr seriozisht nga kundërshtari i tij, me të cilin ka negociuar një marrëveshje të detajuar që i jep atij garanci të plota për zgjedhje të lira e të ndershme.


Ata që e sulmojnë, llogarisin faktin se Basha nuk i fiton dot këto zgjedhje dhe nuk duhet të njoh sistemin, derisa ta shkatërroj atë me bojkot. Basha ka pranuar sistemin dhe ka vendosur ta shtrij në kohë betejën e tij , pasi ka marr firmën e Edi Rmaës që pas zgjedhjeve të nis reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese.


Paradoksalisht Lulzim Basha ka fituar si lider i kritikëve të tij dhe është sot më shumë përfaqësues i tyre, se sa i atyre që mallkonin nga çadra Topallin, Bregun, Selamin, etj. Ky do të jetë dhe momenti më delikat i tij, për të provuar nëse PD ja njeh të drejtën e firmës për Marrëveshje apo jo.


Kur Fatos Nano dhe Berisha bërën marrëveshje më 2002, të dy kishin autoritet të plot brenda partive të tyre, por përsëri nuk e patën të lehtë, të tejkalonin ngërçin brenda partive të tyre. Rama është më i sigurt në partinë e tij. Ky është momenti që Basha të noterizohet realisht si kryetar i PD, duke ja pranuar Marrëveshjen. Dhe nëse shikoni që Berishën do ta ketë në krah, flini të qetë, se nuk i ndodh asgjë. Të gjithë ata që kanë kërkuar Republikën e Re dhe bojkotin do thonë ja këtë kemi kërkuar.


I vetmi problem i tij janë partitë e vogla aleate, që për shkak të rrethnave që u krijuan kjo Marrveshje është penalizuese dhe ndoshta Basha ndoshta do të mbaj fjalën për ti futur pesë aleatët e tij besnikë në listat e PD.


Në tërësinë e vet Marrëveshja është një guxim politik i Edi Ramës, për të hequr nga axhenda e Shqipërisë një krizë artificiale dhe për të provuar me vepra, se nuk ka arsye për ti vënë zjarrin Shqipërisë, për një karrige pushteti.


Pavarësisht kësaj, që Marrëveshja të vlej, duhet të trajtohet me përulje nga të dy palët, për të krijuar realisht një klimë besimi. I vetmi qëllim i saj, është ngjalla e besimit tek zgjedhjet dhe triumfalizmi ndaj njëri tjetrit mund ta vras atë pa lindur ende.