Nëse kjo e shtunë me shi ka mbyllur brenda shumicën prej nesh, në Shkodër 1400 qytetarë i janë përgjigjur operacionit të Ministrit të Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi nëpërmjet nismës Pastrojmë Shkodrën që Duam.


5700 fidanë janë mbledhur në bashkëpunim me EKO Mendje, qytetarë, biznese, Ecovolis dhe nga strukturat tona qendrore dhe vendore.


Prej disa ditësh qindra vullnetarë me  angazhimin e ushtrisë, shkollave profesionale, shoqatave lokale, Ecovolis, bizneseve, institucioneve publike dhe private kanë punuar për hapjen e gropave dhe mbjelljen e fidanëve pyjore. Një nga zonat më panoramike të Shkodrës, mali i Taraboshit po rijetësohet me qëllimin për ti dhënë më shumë frymë Shkodrës dhe qytetarëve.


Ministri Blendi Klosi tha se kjo është një sipërmarrje e shkëlqyer dhe çdo fidan i dhuruar kontribuon për një mjedis të pastër, në radhë të parë për shëndetin tonë dhe për turizmin që Shkodra meriton.


Së bashku më kryetaren e Bashkisë Shkodër znj. Voltana Ademi, Ministri Klosi u shpreh se operacioni Pastrojmë Shqipërinë që Duam po gjen kudo mbështetje dhe nuk ka njeri në opozitë përveç dembelëve dhe ndotësve të mjedisit.


Klosi përgëzoi bashkërendimin midis institucioneve qendrore dhe Bashkisë. Ministria po ndjek politika konkrete  për pastrimin dhe gjelbërimin e Shqipërisë duke reflektuar revoltën e të gjithë qytetarëve në masa konkrete për zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e të gjithë abuzuesve dhe kriminelëve mjedisorë.


Ministri ndihmoi edhe fëmijët e kopshtit Bep Tusha në mbjelljen e pishave dhe përgëzoi punën e të gjitha institucioneve të cilat edukojnë që në vogëli mbi rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe respektit të mjedisit.


Mjedisi i pastër është një çështje jetike për të gjithë ne dhe nuk njeh opozitë, ndarje përkatësie dhe moshe. Shqipëria do jetë e pastër kur qytetarët të kujdesen për mjedisin. Kjo është nisma JUAJ, dhe më të bukur e më të vërtetë se ju, askush nuk mund ta bëjë! Të gjithë bashkë për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në 2020- tha ministri gjatë këtij aksioni paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës.


Grupi i vullnetarëve do vazhdojë me pastrimin e liqenit të Shkodrës, lumenjve Buna dhe Kir përgjatë gjithë fundjavës në vijim.