Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot para studentëve bibliotekën dixhitale që do të jetë në dispozicion të të gjitha universiteteve publike, por nuk ka lënë pa prekur as kërkesat e parashtruara në protestat e dhjetorit.


Sipas shefit të qeverisë ka tre pika jetike, që do të bëjnë kalimin e universiteteve në një stad tjetër, ku një ndër to është edhe vlerësimi i titujve akademikë. Duke shfrytëzuar konstatimin në fjalë, Rama gjeti vendin dhe kohën të sulmonte drejtuesit e Universitetit të Tiranës, duke përdorur edhe termin sharlatanë.


Unë  e kamë thënë edhe herë tjetër dhe nuk është sekret që për sa na takon kemi rezerva të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universitetit të Tiranës. Është koha për të adresuar inkopetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit alarmante të konstatuar në raport edhe me gjithçka që ne kemi bërë për të adresuar ankesat e studentëve. Ka ardhur koha të hapim një proces transparent për të adresuar këtë problem rektorati i Universitetit të Tiranës është vendi ku duhen të adresohen problemet dhe jo të krijohen, tha Rama.


Kryeministri iu rikthye edhe njëherë temës së vlerësimit të performancës së pedagogëve, pasi sipas tij duhet bërë njëherë e mirë ndarja e pedagogëve sharlatanë doktor shkencash nga ata që meritojnë të gjithë respektin për dijet dhe punën që bëjnë.


Ajo që është më shqetësuese të studimeve të larta është që duke mos ndarë pedagogët që meritojnë vendin që kanë nga sharlatanët që paraqiten si doktorë shkencash duke marrë më qafë studentët, sot ne nuk vendosim Universitetin në bazat e duhura për të pasur nesër një standart tjetër, këto janë çështje të patjetërsueshme. Ne do të ndërtojmë infrastrukturën e re të universitetit, shtoi shefi i ekzekutivit.


Rama theksoi se në universitet duhen bërë ndryshime radikale, ndërsa fajësoi rektoratin për disa problematika që hasen në fakultete dhe faktin që po hesht për transparencën e titujve akademikë.


Transparenca e titujve akademikë, është diçka që ministria nuk e bën dot vetë. Duhet ta bëjë çdo universitet. Nuk mund të ndërmerret kur rektorati i Universitetit të Tiranës bën sikur nuk dëgjon duke krijuar hapësirë për çoroditje. Së dyti vlerësimi nga ana e studentëve për performacën e pedagogëve, është një kërkesë legjitime. Nuk po ndodh, nuk shohim asnjë shenjë. E treta shqetësimi i studentëve për tregun e shitje së librave të pedagogëve në kërkim të notës. As kjo nuk po adresohet asgjëkundi, theksoi Rama.