Gazetari i kronikës Artan Hoxha, i cili nëpërmjet postimeve në Facebook ka thënë se policia i njeh vrasësit e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, që u vranë javën e shkuar në pragun e banesës së tyre në Shkodër, ka publikuar një video tronditëse në emisionin JAVA në RTSH.


Në materialin video sipas Hoxhës, babai i ish-kampionit të boksit Asmer Bilali, e paralajmëron vrasjen e tij.


Astrit Bilali e ka filmuar veten në një komunikim me dëshmitarin e vrasjes së 14 Nëntorit 2018.



Në video është zëri i Astrit Bilalit që et me një dëshmitar i cili ka parë motorin dhe vrasësit e atentatit të 14 nëntorit 2018 në Shkodër. Bëhet fjalë për vrasjen e Fatos Ferracakut, 41 vjeç dhe plagosjen e Fatmir Mehajt, 49 vjeç. Autorët ishin dy persona me motor dhe të maskuar me skafandër. Video është realizuar nga vet Astrit Bilali, i vrarë më 30 mars 2019, tha gazetari investigativ Artan Hoxha.


Ai shtoi se ka komunikuar disa herë me Bilalin në lidhje me vrasjet në Shkodër.


Ndërkohë që për analistin Lorenc Vangjeli, beteja për rendin publik dhe sigurinë në vend është një akt që nuk mund të kryhet vetëm nga policia apo dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Krimi nuk është kronikë e zezë, është politikë. Ndarja me të dhe ndëshkimi i tij nuk bëhet me kallashnikovët e policisë, por kërkon një përgjigje politike. Kërkon një vullnet në 360 gradë të të gjithë aktorëve dhe faktorëve publikë në vend dhe një përgjigje proporcionale dhe me të gjitha mjetet në dispozicion ndaj potencialit gjithmonë e më në rritje të këtij lloj krimi, që e ka nisur rrugën nga pozitat e shërbëtorit dhe tani po sillet si zot, shtoi Vangjeli.