Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, i bëri thirrje dje opozitës që të fillojë protestat për të larguar otomanizmin nga vendi. Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se ne konstatojmë se vijon otomanizmi hoxhjan nëpërmjet një bande otomane, që ka kohë që livadhis nëpër Shqipëri. Si pasojë e kësaj nuk u dënua kurrë asnjë kryetar dege, asnjë punonjës i Sigurimit të Shtetit në makabritetet që kanë bërë gjatë 30 vjetëve të otomanizmit hoxhjan në Shqipëri. Në këtë situatë i bëj thirrje opozitës të fillojë protestat për të shkallmuar përfundimisht otomanizmin në Shqipëri. Arsyeja kryesore që nuk hyjmë dot në procedurat e BE-së, është otomanizmi i Kryeministrit Sali. Aleati i Partisë Socialiste doli në krah të Presidentit Bamir Topi lidhur me debatin e fundit mes tij dhe Kryeministrit Berisha për ish-të përndjekurit. Ngjela ka akuzuar ashpër Berishën, duke thënë se ky i fundit është duke ndjekur doktrinën e Enver Hoxhës. Përshëndes hapin e ndërmarrë nga Presidenti ndaj Kryeministrit. Berisha po ecën sipas doktrinës otomane të Enver Hoxhës, ka thënë Ngjela gjatë një deklarate për shtyp.