Skënderbeu i kishte të gjitha mundësitë për tu shndërruar në një "mace të zezë" për Tiranën, kur golashënuesi më i mirë i kampionatit Marius Ngjela (tashmë në kuotën e 10 golave) ngushtoi diferencën në 3-2 në minutën e 84 nga pika e bardhë. Tirana, që kryesoi takimin 2-0 brenda dhjetë minutave, mund të kë kishte mbetur me dhjetë lojtarë dhe pa portier, nëse gjyqtari Aranit Lulaj, nuk do të tregohej zëmërëgjërë me portirin veteran të bardhbluve, Blendi Nallbanin, duke e ndëshkuar këtë të fundit vetëm me kartonin e verdhë.
Një trajner i qetë si Hafizi po i sjell mbarësi Tiranës që tashmë ka rifituar agresivitetin e munguar në fillim të fazës së parë, kur në tri javët e para kishte grumbulluar vetëm tri pikë. Tri fitore në fazën e dytë e rishfaqin Tiranën si pretendente të fortë.
I riu Florenc Arapi celi goleadën bardhëblu në minutën e shtatë pas asistit të Fortuzit. Për 22-vjecarin ky është goli i dytë rresht pas atij të shënuar në fitoren kundër Shkumbinit një javë më parë. Tri minuta më pas i erdhi radha, veteranit Indrit Fortuzi për të dyfishuar rezultatin dhe duke shënuar njëkohësisht edhe golin e tij të katërt sezonal.
25-vjecari Endri Cajku shkurtoi diferencën e golave në minutën e 42-të për ta mbyllyr pjesën e parë me rezultatin 2-1. Në pjesën e dytë në minutën e 62-të erdhi edhe goli i tretë i Tiranës i shënuar nga Daniel Xhafaj (goli i dytë i vlonjatit pas atij kundër Teutës). Hafizi e mendon të fituar lojën, bën të tri ndërrimet, por nuk e kishte parashikuar situatën e minutave të fundit, kur Skëndebeu rigjeti energjitë dhe shënoi golin e dytë me anë të Maruis Ngjelës (84') nga pika e bardhë, por që mund edhe të kishte barazuar me rastet që krijoi përpara fërshëllimës përfundimtare të Lulajt. Goli i Ngjelës, tashmë i shkëputur me dy gola nga Sinani (10-8), është edhe e 101-ti historik në portën e Tiranës gjatë 115 ndeshjeve (185 gola Tirana).
Më fitoren ndaj korcarëve Tirana u ngit në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Skënderbeu, ekipi i vetëm i Superligës ende pa një trajner zyrtar, po shkon me shpejtësi drejt Kategorisë së Parë.

Tirana-Skenderbeu 3-2
8.12.2007, ora 14:00
Stadiumi: "Selman Stërmasi", Tiranë
Gjyqtarë: A.Lulaj, R.Zhuli-I.Shima
Bilanci: 115 ndeshje; 56 fitore Tirana, 37 barazime, 22 fitore Skenderbeu. Golat: 185-101.
Faza e parë:
Skënderbeu-Tirana 4-2
Faza e dytë:
Tirana-Skënderbeu 3-2