Kuvendi nuk do të përfshijë sot për miratim emrat për ngritjen e Autoritetit të Kontrollit







TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret në drejtim të ngritjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurave, që prej miratimit të kalendarit të hënën e kaluar, ku përfshihej edhe miratimi i përbërjes së këtij autoriteti.

Edhe pse Kuvendi miratoi me debate përfshirjen në kalendarin trijavor të punimeve të Kuvendit, të procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të këtij Autoriteti, i cili do të bëjë dhe verifikimin e pastërtisë së të gjithë zyrtarëve që janë objekt i ligjit, Partia Demokratike, gjatë 7 ditëve pas miratimit të kalendarit, nuk ka bërë asnjë lëvizje konkrete. Në bazë të kalendarit të punimeve të miratuar një javë më parë, emrat e këtij autoriteti duhet të diskutoheshin brenda javës së kaluar në Komisionin e Ligjeve dhe sot pasdite, emrat duhet të ishin miratuar në seancë plenare. Por, asnjë prej procedurave deri në miratimin e emrave sot nga Kuvendi, nuk është realizuar. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve nuk e përfshinë këtë çështje për diskutim gjatë mbledhjes së fundit të javës së kaluar, ndërkohë që grupi parlamentar i PD-së nuk ka depozituar deri dje në mbrëmje asnjë emër për të plotësuar ngritjen e Autoritetit. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim ligjin për pastërtinë e figurës të shumëkontestuar nga ndërkombëtarët, por edhe opozita, e ankimuar 4 herë nga subjekte të ndryshme. Ligji për pastërtinë e figurës parashikon që figurat e zyrtarëve të lartë të kontrollohen nga një komision parlamentar, që do të cilësohet si Autoriteti i Kontrollit të Figurave. Vetë ligji parashikon që Autoriteti të jetë organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë morale të figurave të funksionarëve publikë. Autoriteti do të jetë i përbërë nga 5 anëtarë, dy përfaqësues të shumicës parlamentare, dy të pakicës dhe kryetari me konsensus. Në të njëjtën, kohë në ligj, mazhoranca i ka paraprirë edhe bojkotit të opozitës, pasi ka përcaktuar se, në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile.